Zjarret në vend, ministria e Mbrojtjes: Ka përmirësim të situatës, por në disa zona paraqiten ende probleme

Ministria e Mbrojtjes ka publikuar të dhënat më të fundit në lidhje me situatën e zjarreve në vend. Sipas ministrisë së Mbrojtjes, tashmë është fikur zjarri në drejtim të Kreshpanit dhe po mbahet në monitorim nga trupat e FA dhe efektivë të MZSH.
Ministria informon se si rezultat i punës së pandërprerë të forcave të emergjencave civile, ndihmuar edhe nga efektivë të Forcave të Armatosura, si dhe nën koordinimin e Agjencisë së Mbrojtjes Civile, është arritur të përmirësohet situata në disa vatra zjarri në territorin e vendit.
“Është fikur zjarri në drejtim të Kreshpanit, në masivin me ullishte dhe po mbahet në monitorim nga trupat e FA dhe efektivë të MZSH.Ndërkohë po vazhdon operacioni për vënien nën kontroll të flakëve në masivin pyjor Plyk- Kraps-Gjorkos.”- thuhet në njoftim.
Sipas ministrisë së Mbrojtjes, në fshatin Hekal, në Mallakastër, situata është nën kontroll dhe po izolohet edhe vatra e fundit aktive.
“Po vijon operacioni për kapsulimin e vatrave në vendgrumbullimin e mbetjeve urbane, në Vlorë. E vështirë është puna e forcave të emergjencave për shkak të terrenit në fshatin Buz, në bashkinë Memaliaj. Por përhapja e zjarrit është e dobët, pasi zjarri ndodhet mes dy zallishteve.”- informon ministria.
Ministria e Mbrojtjes, në vijim të infomacionit, bën të ditur se është arritur të izolohet plotësisht zjarri në malin e Gjallicës në njësinë administrative Shtiqen, në Kukës dhe po ashtu janë vënë tërësisht nën kontroll flakët dhe vatrat në fshatin Mandaj, në njësinë administrative Helmas në Kavajë.

/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




