Zyrtare/ Celibashi: Në zgjedhje morën pjesë 38% e zgjedhësve që ishin në listën e votuesve

Komisioneri Shtetëror për Zgjedhjet, Ilirjan Celibashi, ka publikuar zyrtarisht numrin e zgjedhësve, të cilët morën pjesë në zgjedhjet vendore të 14 majit 2023. Sipas Celibashit, në këto zgjedhje morën pjesë 38% e votuesve që ishin në lista.
“Kjo është shifra zyrtare e pjesëmarrjes në zgjedhje. Kjo shifër ka të bëjë me numrin e votuesve për kryetarë të bashkive, por që pak a shumë korenspondon edhe për këshillat bashkiakë”- deklaroi Celibashi.
Lista zyrtare e votuesve përbëhej nga 3,650,550 shtetas shqiptarë me të drejtë vote. Nga këto, 122,545 zgjedhës votonin për herë të parë. Në zgjedhjet e 14 majit votuan 1.395.360 zgjedhës.
Celibashi ka bërë publik zyrtarisht edhe emrat e kryebashkiakëve, të cilët fituan në këto zgjedhje ku 53 mandate u morën nga PS; 7 mandate nga koalicioni “Bashkë Fitojmë” dhe 1 mandat nga partia MEGA.
Kryekomisioneri Celibashi, sqaroi edhe pozicionin e tij, lidhur me mosfunksionimin e pajisjeve identifikuese elektronike në ditën e zgjedhjeve. Sipas tij, vetëm 5% e qendrave të votimit janë hapur pas orës 08:00 dhe kjo vonesë, sipas tij, nuk ka pasur impakt të madh në proces.
“90% e qendrave të votimit janë hapur mesa orës 07:00 dhe 7:30. Vetëm 5% pas orës 8. Për 5% të tjera procesi i hapjes ka filluar mes orës 08:00 dhe 09:30. Pra janë vetëm 5% e qendrave ku procesi ka filluar pas orës 8. Këto janë faktet. Mbi këto fakte, mund të bëhen vlerësimet, por jo se këto vonesa kanë ndikuar negativisht në mbarëvajtjen e procesit”,- tha Celibashi.
Kryeminisioneri nuk pranoi të komentonte deklaratën e kryeministrit Rama se „ky ishte një dështim skandaloz i KQZ”.
“Nuk kam koment për këtë deklaratë të kryeministrit”, tha Celibashi.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




