1.18 kontribues për një pensionist, bilanc pozitiv por kthimi i kontributeve mbetet në pikëpyetje

Ekonomi | 2 muaj më parë

Në vitin 2025, Shqipëria kishte mesatarisht rreth 1,18 kontribues për një pensionist sipas të dhënës zyrtare 870.964 kontribues për 754.981 pensionistë. Bilanci pozitiv i të ardhurave të skemës së detyrueshme me rreth 185,5 miliardë lekë, bashkë me shpenzimet 195,7 miliardë, përbënte vetëm për pensionet rreth 163,9 miliardë lekë.

“Informaliteti i cili vazhdon të mbetet problem për të rritur atë pjesë të ekonomisë që ka një vlerë të lartë në mënyrë që bizneseve t’u japë mundësi të rrisinn pagat pasi ne flasim për pensionet aktuale, por edhe pensionet që do vazhdojnë do jenë të ulëta. Ai që fiton më shumë edhe këtu duhet të mbajë një barrë më të lartë pasi ende ne nuk shkëputemi dot dhe për shumë vite nga kjo pjesa e solidaritetit. Të gjitha këto duhet të jepen me një perspektivë për të thënë që kontributorët e sotëm nesër do të kenë pension më të lartë”, tha Eduart Gjokutaj.

Struktura e kthyer prej disa vitesh pozitive përkundrejt pensioneve që shpërndahen, preket megjithatë nga fakti që rreth 58 mijë persona gëzojnë pension solidariteti përveç pensionit social të mirëfilltë, që u jepet atyre mbi 70 vjeç pa të drejtë pensioni kontributiv.

“Pensionet sociale janë një detyrim jo vetëm thjesht ndaj qytetarëve, por dhe një detyrim i asaj çfarë Shqipëria është e integruar në tregun europian dhe botëror dhe do të jenë si një bazë e një politike minimaliste sociale”, thekson Gjokutaj.

Në një këndvështrim tjetër, atë personal që pensioni të të kthejë atë që ke paguar në vite dhe sa posaçërisht, skema në Shqipëri nuk shkon në të njëjtën linjë me atë të nxitjes për kontribute.

“Aktualiteti nuk është pozitiv edhe në të ardhmen pasi shumë pensione që dalin të reja janë nga ato pensionet e pjesshme që mbartin mungesën e viteve të punës në kohën e informalitetit masiv në vitet 90 dhe, duke u shtuar këto, vlera e pensioneve del gjithmonë e më e ulët”, u shpreh Gjokutaj.

Skema shqiptare është kontributive në mënyrën e llogaritjes së pensionit, por kolektive në financim: kontributet nuk ruhen në një llogari personale dhe pensioni nuk është kthim i drejtpërdrejtë i shumës së paguar ndër vite.

Gazetare: Entela Komnino

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme