100 vite marrëdhënie diplomatike, Rama: Pa SHBA, Shqipëria s’do ishte në NATO, marrëdhënien e thellë mes nesh e bëri historia

Politikë | 4 vite më parë

Në kuadër të festimeve për 100-vjetorin e marrëdhënieve Shqipëri-SHBA, kryeministri Edi Rama tha se pa SHBA-në Shqipëria nuk do ishte sot as anëtare e NATO-s dhe as anëtare e Këshillit të Sigurimit. Historia mes dy shteteve që nga 1922, tha Rama, i ka dhënë këtë thellësi dhe nivel marrëdhënieve mes dy shteteve dhe si kjo nuk ka asnjë të ngjashme në botë.

Duke folur për kohën e errët të komunizmit ku marrëdhëniet me SHBA-në u ndërprenë dhe ajo u shpall armik nga Enver Hoxha, Rama tha se pikërisht ajo perde e hekurt i shtyu shqiptarët ta duan SHBA-në dhe jo të largohen.

“Ishte dita e Pavarësisë kur i thashë Presidentit Ëillson të shpëtonte këtë racë të pashpresë dhe përgjigja e tij ishte “unë do të kem një zë në Kongresin e Paqes dhe atë do ta përdor në favor të Shqipërisë”. Nuk besoj se ndodh në ndonjë vend tjetër që gjithë qeveria dhe gjithë paria e vendit të mblidhen me ambasadoren dhe të kremtojnë ditën kur kanë firmosur marrëdhëniet diplomatike. Kjo nuk e bën aspak të pakuptueshme apo qesharake këtë që ndodh këtu në vendin tonë. Ndryshe nga të gjitha vendet e tjera, pa asnjë përjashtim, në këtë marrëdhënie ka hyrë në mes një histori e pangjashme me asgjë tjetër që ka përcaktuar edhe këtë nivel dhe thellësi të marrëdhënies tonë me SHBA. Ne sot jemi  këtu për 100 vjetorin, sepse më 28 korrik 1922 në ministrinë e Jashtme mbërrit dokumenti zyrtar që njoftonte qeverinë shqiptare se SHBA e njeh qeverinë shqiptare. 

Pa SHBA-në Shqipëri mbase nuk do të ekzistonte dhe pa SHBA-në Shqipëria sot nuk do të ishte as anëtare e NATO-s dhe as anëtare e Këshillit të Sigurimit. Pas SHBA-në Shqipëria nuk do të mund të përballej me të keqen dhe të shkuarën, e cila vijon të shfaqet para nesh nga forma në më të ndryshme. Historia e ndarjes me dhunë e Shqipërisë dhe shqiptarëve nga bota dhe shkëputjes totale të çdo lidhjeje me SHBA. Madje e vendosjes së SHBA në shënjestrën e përditshme të diktaturës komuniste. Në një farë mënyrë Enver Hoxha është njeriu që ka punuar më shumë se në të tërë për këtë ditë që jemi këtu. Ka punuar gjysmë shekulli për ta kthyer Shqipërinë dhe për t’i kthyer shqiptarët në dashnorët më të paepur të SHBA-së. Të gjitha ato që regjimi komunist bëri për t’i laruar shqiptarët nga SHBA u përkthyen në kalimin e shqiptarëve në ekstremin tjetër”, tha Rama.

Gjatë fjalës së tij Rama foli edhe për ata që i kundërvihen SHBA duke thënë se “Nuk ka këtu një burrë që t’ia thotë SHBA-së në sy kur i dridhen gjunjët nga Reforma në drejtësi, apo se ka frikë të dalë nga shtëpia se e ka damkën në lule të ballit.’

Në fund, kryeministri uroi se si sot një shekull më parë u vendos lidhja jetike e miqësisë dhe partneritetit, me vendin simbol të demokracisë dhe kjo do të vijojë edhe për 100 vite të tjera.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme