11 persona marin nënshtetësinë shqiptare, Veliaj: Po ndërtojmë Shqipërinë anëtare të BE dhe Shqipërinë e së ardhmes

11 shtetas të huaj u betuan përpara kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, për besnikëri ndaj shtetit shqiptar dhe për respektimin e Kushtetutës e të legjislacionit të Republikës së Shqipërisë.
Qytetarët që zyrtarisht morën nënshtetësinë shqiptare ishin kryesisht nga Kosova, por kishte edhe nga Irani dhe Rusia.
Kryebashkiaku Veliaj në ceremoninë e betimit tha se Shqipëria është tokë e bekuar për mikpritjen e jashtëzakonshme.“Të jesh sot qytetar i Shqipërisë nuk do të thotë thjesht të marrësh një pasaportë apo të bësh një betim, po do të thotë gjithashtu të bëhesh pjesë e një lëvizjeje që gjenezat i ka tek themeluesit e shtetit shqiptar, me në krye Ismail Qemalin, që dhe në kohët më të vështira mundësuan shpalljen e pavarësisë si një nga aktet më sublime kombëtare, historike dhe politike për të gjithë ne shqiptarët. Ndaj sot, sidomos për ju të 11 që aspironi të bëheni shtetas shqiptar është shumë e rëndësishme të kuptoni historinë nga kemi ardhur si shoqëri dhe në çfarë kushtesh të vështira dhe sakrificash është krijuar dhe ka avancuar shteti modern shqiptar”, u shpreh Veliaj.
Më tej ai nënvizoi: “Kjo është një lëvizje që vazhdon frymon dhe sot duke na ndihmuar që të ruajmë jo vetëm amanetin heronjve dhe patriotëve tanë për të qëndruar më të fortë dhe më të bashkuar, por dhe për të kultivuar së bashku kulturën dhe traditat tona fisnike. Shumë punë na presin akoma, por hap pas hapi, sfidë pas sfide, sukses pas suksesi së bashku po ndërtojmë Shqipërinë që fëmijët tanë ëndërrojnë, Shqipërinë anëtare të BE dhe Shqipërinë e së ardhmes.”
Kryetari i Bashkisë lexoi formulën e betimit për 11 shtetasit që kanë fituar shtetësinë shqiptare, të cilët më pas nënshkruan edhe aktin e betimit.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




