114-vjetori i lindjes së Nënë Terezës, Rama: Shenjtorja që i përket mbarë njerëzimit. Spiropali: Datë madhështore

26 gushti shënon ditën e lindjes së Anjezë Gonxhe Bojaxhiu, e njohur gjerësisht si Nënë Tereza. Kryeministri Edi Rama ka përkujtuar 114-vjetorin e lindjes së Nënë Terezës., ku në një postim në Facebook, teksa ka postuar një foto të Shenjtores, shkruan: “Sot përkujtojmë 114 vjetorin e lindjes së Nënë Terezës, Shenjtorja shqiptare që i përket mbarë njerëzimit”.
Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali e konsideron 26 gushtin si datë “madhështore për shqiptarët dhe botën”.
“Shën Tereza është shqiptarja më e ndritur, e cila, me përdëllimin e saj karshi mjerimit, urrejtjes, individualizmit dhe indiferencës, krijoi një qiellnajë shpirtërore të dashurisë, solidaritetit dhe përkushtimit. Nga porositë e panumërta dhe të paçmuara që Nënë Tereza, kjo luftëtare e urtë e paqes pa mjete dhune, i la njerëzimit, sot, në këtë botë të trazuar, të rrezikuar nga retë e luftës, kam zgjedhur mësimin e madhërishëm: Nuk kemi nevojë për armë dhe bomba për të sjellë paqe në botë, kemi nevojë për dashuri, mëshirë, dhembshuri“, shkruan Spiropali.
Nobelistja shqiptare Gonxhe Bojaxhiu u lind më 26 gusht 1910 në Shkup. Ajo tërë jetën e saj ia kushtoi çështjes së bamirësisë, duke ndihmuar familjet e varfra dhe personat e sëmurë.
Në vitin 1979 ajo u nderua me Çmimin Nobel për Paqen në Tribunën e Oslos. Siç i referohet një artikull i posaçëm i “Radio Vatikanit”, mbi këtë çmim të madh të dorëzuar ndaj saj prej jurisë ndërkombëtare të Akademisë së Shkencave të Suedisë, shqiptarja Gonxhe Bojaxhiu e pranoi çmimin vetëm, pasi një pranim i tillë do t’u vlente shumë të varfërve të saj.
Nënë Tereza ndërroi jetë më 5 shtator 1997. Për vlerat e saja jetësore, Nënë Tereza nga Kisha e Shenjtë në Vatikan u shpall Shën Tereza.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




