Projektbuxheti 2027 nis shqyrtimin në komisionet parlamentare, prioritetet strategjike, politikat sociale dhe investimet

Ekonomi | 1 orë më parë

Komisionet parlamentare kanë nisur zyrtarisht shqyrtimin e projektligjit “Për Buxhetin e vitit 2027”. Diskutimet u hapën në disa komisione kryesore, ku përfaqësues të Ministrisë së Financave paraqitën kuadrin e përgjithshëm makroekonomik, si dhe detajet financiare për sektorët strategjikë të vendit.

Siç u bë e ditur gjatë prezantimeve zyrtare, projektbuxheti i ri është strukturuar mbi prioritete të qarta kombëtare.

“Ky projektbuxhet është hartuar mbi tre shtylla kryesore: rritjen e mirëqenies dhe forcimin e mbështetjes sociale për qytetarët, ruajtjen e stabilitetit dhe qëndrueshmërisë së financave publike dhe financimin e investimeve, reformave dhe procesit të integrimit evropian”, deklaroi zëvendësministri i Financave, Andi Memeti.

Sipas të dhënave të paraqitura prej tij, “shpenzimet buxhetore për vitin 2027 programohen në masën 976.1 miliardë lekë ose rreth 33.3% e PBB”, duke shënuar një rritje prej rreth 69.3 miliardë lekësh krahasuar me planin e rishikuar të vitit paraprak.

Në kuadrin afatmesëm 2027-2029, rritja ekonomike parashikohet të ruajë trajektore pozitive me një normë mesatare prej rreth 4.0% në vit, ndërsa të ardhurat buxhetore për vitin 2027 parashikohen në masën 907.8 miliardë lekë.

Fokus te mbrojtja sociale, shëndetësia dhe siguria

Në Komisionin për Çështjet e Brendshme dhe të Mbrojtjes, i cili drejtohej nga kryetari Bledar Çuçi, vëmendje e veçantë iu kushtua mbrojtjes sociale dhe sektorëve të sigurisë. Projektbuxheti siguron burimet e nevojshme për rritjen e pensionit minimal në nivelin e 200 eurove në muaj dhe atij mesatar në 400 euro. Për skemën e sigurimeve shoqërore parashikohen rreth 215.6 miliardë lekë, ku përfshihen “4 miliardë lekë për indeksimin e pensioneve i cili do të bëhet në prill 2027”, si dhe financimi i plotë i rishikimit të bonusit të bebes së bashku me një pagesë mujore për fëmijët nga 0 deri në 5 vjeç.

Lidhur me sektorin e shëndetësisë, “shpenzimet për vitin 2027 parashikohen në 87.2 miliardë lekë, me një rritje prej 6 miliardë lekësh krahasuar me financimin fillestar të vitit 2026”.

Ndërkaq, relatori Bledar Çuçi veçoi tri risi kryesore të projektligjit: “e para lidhet me politikën e pagave ku veçoi pozicionet bazë të Policisë së Shtetit, e dytë me angazhimet në kuadrin e NATO-s, dhe e treta me forcimin e financimit për pushtetin vendor”.

Diskutimet në Komisionin e Edukimit dhe atë të Burimeve Natyrore

Punimet vijuan paralel edhe në komisione të tjera. Komisioni për Edukimin, Shkencën dhe Sportet, nën drejtimin e nënkryetares Alma Selami, miratoi kalendarin e punës dhe shqyrtoi në parim projektligjin, duke u ndalur te mbështetja për familjet, arsimin dhe mbrojtjen sociale.

Nga ana tjetër, në Komisionin për Burimet Natyrore, Infrastrukturën dhe Zhvillimin e Qëndrueshëm, të drejtuar nga Anila Denaj, zëvendësministri Memeti paraqiti fondet për mjedisin, infrastrukturën dhe energjinë. Në këtë mbledhje mori fjalën edhe Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, e cila detajoi objektivat e dikasterit të saj, me fokus te “politikat për nxitjen e zhvillimit ekonomik, mbështetjen e sipërmarrjes, përmirësimin e klimës së biznesit, rritjen e konkurrueshmërisë, si dhe zhvillimin e inovacionit e digjitalizimit”.

Pas diskutimeve dhe pyetjeve nga anëtarët, projektbuxheti i vitit 2027 u miratua në parim në komisionet përkatëse, duke i hapur rrugë shqyrtimit të mëtejshëm neni për nen.

/rtsh.al/

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme