80 vjet “Jordan Misja”, festohet me Orkestrën Simfonike të RTSH-së

Kulturë | 24 minuta më parë

Tetë dekada histori, traditë dhe kontribut në artin shqiptar. Liceu Artistik “Jordan Misja” festoi 80-vjetorin e themelimit me një koncert jubilar, ku Orkestra Simfonike e RTSH-së solli në skenë një program të përzgjedhur muzikor.

Nën dirigjimin e dirigjentit Gridi Kraja dhe me solisten Jonela Golemi, koncerti ndërthuri vepra të kompozitorëve të njohur botërorë me ata shqiptarë. Programi u hap me uverturën e operës “Dasma e Figaros” të Mozartit, vijoi me “Meditim” të F. Dedës e mandej me kompozitorin e mirenjohur Beethoven.

Në këtë udhëtim muzikor, artistja Jonela Golemi interpretoi “Csárdás” të Vittorio Montit, ndërsa koncerti u përmbyll me “Serenat për harqe” të Çajkovskit.

I themeluar në vitin 1946, Liceu Artistik “Jordan Misja” është një nga institucionet më të rëndësishme të formimit artistik në Shqipëri. Përgjatë tetë dekadave, ai ka edukuar breza artistësh dhe ka kontribuar në zhvillimin e muzikës, arteve pamore, teatrit dhe koreografisë.

Ky jubile është një homazh për historinë dhe njerëzit që kanë ndërtuar identitetin e institucionit, por edhe një mesazh për vazhdimësinë e artit dhe talentet e reja që do të mbajnë gjallë këtë trashëgimi.Me tingujt e muzikës simfonike, 80-vjetori i “Jordan Misja”-s u shndwrrua në një festë të artit, kujtesës dhe së ardhmes.

Gazetare: Katerina Kule

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme