Festivali “Akordet e Kosovës” sonte shpall fituesin e edicionit të katërt

Kosovë | 44 minuta më parë

Pas natës së parë të mbajtur të premten në Pallatin e Rinisë “1 Tetori” në Prishtinë, Festivali i Këngës në RTK “Akordet e Kosovës” sonte mban natën finale të edicionit të katërt për të rriturit, ku do të shpallen fituesit dhe do të ndahen çmimet kryesore të festivalit.

Në mbrëmjen e parë, 17 artistë garuan me këngë të zhanreve të ndryshme, duke sjellë para publikut performanca që varionin nga rock-u alternativ dhe etno-pop-i deri te jazz-i dhe baladat.

RTK njofton se gjatë finales do të ndahen tri çmime kryesore: çmimi i parë i festivalit, çmimi i orkestrës dhe çmimi për tekstin më të mirë. Fituesit do të përzgjidhen nga juria profesionale e përbërë nga Bojken Lako, Rebeka Qena, Babuka, Adelina Paloja dhe Astrit Pallaska.

Përveç pjesës garuese, nata finale do të pasurohet edhe me interpretimet e artistëve të njohur Bojken Lako, Besnik Çaka, Deniza Begolli dhe Sejat Jakupi.

Festivali transmetohet drejtpërdrejt në RTK, Radio Televizionin Shqiptar dhe Radio Televizionin e Maqedonisë së Veriut në gjuhën shqipe.

Ndërkohë, për herë të parë në kuadër të këtij organizimi, nesër do të mbahet edhe festivali i fëmijëve.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme