Bienalja e Karikaturës, Korça çel edicionin e katërt të Bienales Ndërkombëtare “Niko Nikolla”

Kulturë | 51 minuta më parë

Korça është kthyer sot në qendër të artit, humorit dhe satirës me çeljen e edicionit të katërt të Bienales Ndërkombëtare të Karikaturës “Niko Nikolla”.

Ky aktivitet mbledh artistë nga vende të ndryshme të botës, duke sjellë përmes gjuhës universale të karikaturës këndvështrime, mesazhe dhe reflektime mbi shoqërinë dhe realitetin bashkëkohor.

Edicioni i sivjetshëm vjen me dy tema kryesore: “Engjëll apo Djall?” dhe “Portret – Bujar Kapexhiu”. Në ekspozitë prezantohen gjithsej 194 vepra të përzgjedhura, nga të cilat 111 i kushtohen temës “Engjëll apo Djall?”, ndërsa 83 të tjera sjellin interpretime artistike të figurës së karikaturistit të njohur shqiptar, Bujar Kapexhiu.

Flora Nikolla, themeluese dhe drejtoreshë ekzekutive e Bienales “Niko Nikolla”, u shpreh:

“Ne mblidhemi sot për të nisur këtë edicion të katërt të Bienales Ndërkombëtare të Karikaturës, pas një rruge të gjatë që ajo ka bërë për të sjellë të paktën 56 vende të planetit sot në qytetin e Korçës.”

Zamira Kita, drejtoreshë e Qendrës së Artit dhe Kulturës në Korçë, tha:

“Jemi shumë të lumtur që ju jeni në Korçë dhe që ne organizojmë këtë bienale, e cila ka një rëndësi të veçantë për artet vizive.”

Agim Sulaj, drejtor artistik i Bienales, piktor dhe karikaturist, u shpreh “Bienalja çelet me ekspozitën e karikaturistit të mrekullueshëm shqiptar Albert Meksi. Punët e tij flasin për cilësinë, detajet dhe mesazhet filozofike që trajtojnë.”

Arben Meksi, karikaturist dhe arkitekt, tha, “Ta ruajmë dashurinë me njëri-tjetrin, ta hapim këtë art edhe në Kosovë, te vëllezërit tanë, në Maqedoninë e Veriut dhe në Mal të Zi. Të krijojmë një shoqatë gjithëpërfshirëse për t’i bërë edhe më të bukura këto gjëra, sepse e kemi fuqinë e mendjes.”

Bujar Kapexhiu, karikaturist, aktor, regjisor dhe skenarist, deklaroi “Janë vepra arti dhe unë kam kënaqësinë që portreti im sot është realizuar nga pena të shquara të karikaturës botërore.”

Bienalja organizohet nga “Albanian Excellence” dhe mban emrin e Niko Nikollës, një prej figurave më të rëndësishme të humorit dhe publicistikës shqiptare.

Për 25 vite ai ishte kryeredaktor i revistës satirike “Hosteni”, duke lënë gjurmë të rëndësishme në traditën e karikaturës shqiptare dhe duke qenë një nga mbështetësit kryesorë të zhvillimit të saj gjatë viteve ’70-’90.

Gazetare: Geralda Manushi.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme