12 Këshillat Bashkiakë që nuk kanë çelur ende numërimin e votave

Janë 12 këshilla bashkiakë të cilat nuk kanë nisur ende procesin e numërimit të votave. Malësia e Madhe, Finiqi, Vau i Dejës, Kuksi, Dibra, Lezha, Kurbini, Kruja, Devolli, Kavaja, Belshi, Divjaka nuk e kanë çelur procesin e numërimit të votave për këshillat bashkiakë.
Në Malësinë e Madhe, fitoren për Bashkinë e shënoi kandidati socialist Tonin Marinaj, ndërsa janë 72 Qendra Votimi për t’u numëruar për Këshillin Bashkiakë.
Në Finiq, triumfoi Romeo Çapuli i “Minoriteti Etnik Grek për të Ardhmen”, ndërsa janë 50 Qendra Votimi për t’u numëruar për Këshillin Bashkiakë.
Po ashtu, ndonëse procesi nuk ka filluar ende, në Këshillin Bashkiak të Vaut të Dejës janë 53 Qendra Votimi që do të numërohen, ndërsa kujtojmë se Bashkia u fitua nga socialisti Kristian Shkreli.
Në Këshillin Bashkiak të Kuksit janë 73 Qendra Votimi që do të numërohen, ndërsa Bashkia u fitua nga kandidati i PS, Safet Bici.
99 Qendra Votimi që do të numërohen për Këshillin Bashkiak të Dibrës, bashkia e së cilës u triumfua me fitoren e PS, me kandidat Rahim Spahiun.
Më i lartë është në Lezhë numri i Qendrave të Votimit të cilat pritet të nisin së shpejti numërimin. Janë 126 QV që do të numërohen për Këshillin Bashkiak të Lezhës, ndërsa kujtojmë se për Kryetar Bashkie u rikonfirmua socialisti Pjerin Ndreu.
Në Këshillin Bashkiak të Kurbinit, do të numërohen 74 QV, procesi i së cilës nuk ka nisur ende. Numërimi i votave për Bashkinë e Kurbinit përfundoi me fitoren e kandidates së PS, Majlina Cara.
Ndërkohë janë 92 QV që do të numërohen për Këshillin Bashkiak të Krujës, bashkia e së cilit i dha një tjetër mandat socialistit Artur Bushi.
Po 92 QV janë për t’u numëruar edhe për Këshillin Bashkiak të Kavajës, një prej 7 bashkive e cila u fitua nga Bashkë Fitojmë.
Për Këshillin Bashkiak të Devollit do të numërohen 49 QV, ndërsa fitoren e Bashkisë e siguroi Eduard Duro.
Belshi dhe Divjaka janë dy Këshilla Bashkiakë të tjerë, ku nuk ka nisur procesi i numërimit të votave. Konkretisht në Belsh pritet të numërohen 40 QV, ndërsa në Divjakë 67 QV.
Të dyja këto bashki u fituan nga Partia Socialiste.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




