12 vite nën vëzhgim/ Përfundon monitorimi fiskal i Greqisë nga BE, Mitsotakis: Ditë historike

Rajon | 4 vite më parë

Greqia u çlirua këtë të shtunë nga mbikëqyrja fiskale 12-vjeçare e Bashkimit Evropian që u imponua në këmbim të paketave të shpëtimit pas krizes së borxhit.

Kryeministri Kyriakos Mitsotakis e konsideroi 20 gushtin ditë historike për vendin dhe qytetarët.

 “20 gushti 2022 është një ditë historike për Greqinë dhe grekët: në mënyrën më zyrtare, vendi ynë del nga regjimi i mbikëqyrjes së zgjeruar europiane. Me këtë mbyllet një cikël dymbëdhjetëvjeçar që solli dhimbje te qytetarët , stanjacion në ekonomi dhe ndarje në shoqëri . Që të shfaqet një horizont i ri, i qartë zhvillimi, uniteti dhe prosperiteti për të gjithë.

Zhvillimi i sotëm shënon fundin e memorandumeve dhe atyre të vendosura në emër të tyre: taksa të padurueshme dhe shkurtime pagash dhe pensionesh. Kontrollet bankare dhe hipotekimi i pronës publike. Degradimi i mbrojtjes kombëtare, arsimit publik dhe shëndetësisë. Por edhe margjinalizim i pozicionit të Greqisë në Evropë dhe në botë. E gjithë kjo, për fat të mirë, i përket së shkuarës”, tha Mitsotakis.

Dalja e Greqisë nga mbikëqyrja e zgjeruar ka përfitime të shumëfishta për vendin, pasi forcon pozicionin e tij në tregjet ndërkombëtare, i jep shtysë shtesë potencialit të tij zhvillimor dhe tërheqjes së investimeve, i jep shkallë lirie në ushtrimin e politikës ekonomike, në kuadër të kursit. 

Megjithatë, Greqia si anëtarët e tjerë të BE-së, Spanja, Portugalia, Qiproja dhe Irlanda do të monitorohet ende nga kreditorët e saj ndërsa do të paguajë borxhet.

/rtsh.al/

 

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme