1400 fëmijë në kopshtet dhe çerdhet e Kukësit, infrastruktura e godinave e mirë, staf i kualifikuar

Arsim | 1 ditë më parë

Me nisjen e vitit të ri arsimor, kanë hapur dyert edhe institucionet parashkollore në Bashkinë Kukës. Këtë vit, në kopshtet dhe çerdhet në të gjithë territorin e bashkisë janë regjistruar rreth 1400 fëmijë, të cilët do të ndjekin programet edukative dhe aktivitetet e parashikuara përgjatë vitit.

Drejtoresha e arsimit parashkollor bën me dije se institucionet janë tashmë në funksion të fëmijëve.

Kemi një numër të konsiderueshëm deri në 1400 fëmijë në të gjithë bashkinë e Kukësit duke përfshirë dhe njësitë administrative. Puna ka filluar, kopshti është hapur, çerdhet janë hapur, fluksi është i përditshëm. Në krahasim me vitin e kaluar pothuajse numri është i njëjtë përveç se numrit të madh që është shtuar në çerdhe kohët e fundit dhe grupi i ri që është hapur këtu në çerdhen numër tre numri është pothuajse i njëjtë”, u shpreh Albana Elezaj, Drejtoreshë e arsimit parashkollor.

Përtej procesit të përditshëm edukativ, gjatë këtij viti priten të zhvillohen edhe aktivitete të ndryshme kulturore, artistike dhe edukative, të cilat synojnë të nxisin kreativitetin dhe socializimin e fëmijëve.

Pjesa e aktiviteteve është një gjë shumë e rëndësishme dhe një gjë që zbatohet sipas planeve, programeve. Çdo lloj dite përkujtimore, dite festive për fëmijët, ata e festojnë në kopshte”, tha ai.

Institucionet parashkollore do të vijojnë punën gjatë gjithë vitit për të ofruar një mjedis sa më të përshtatshëm për edukimin dhe zhvillimin e fëmijëve.

Gazetare: Irda Bajraktari

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Të ngjashme