2 orë para Kryeministrisë, mbyllet pa incidente protesta e PD! Paralajmërime për vijim të aksionit opozitar

Me pankarta në duar dhe thirrje kundër qeverisë, ka përfunduar pas 2 orësh protesta paqësore para Kryeministrisë e thirrur nga kreu i PD-së, i zgjedhur nga Komisioni i Rithemelimit, Sali Berisha. Me qindra qytetarë u mblodhën para Kryeministrisë në orën 19:00, ndërsa protesta nisi me këngë nga Renis Gjoka dhe Big Basta, duke vijuar më pas me fjalime deputetësh e aktivistësh.

Kësaj proteste iu bashkua edhe LSI, ku mbajti fjalën e saj edhe kryetarja e kësaj partie, Monika Kryemadhi. Të pranishëm krah Berishës ishin edhe deputetët e rreshtuar si kritikë të tij, si Grida Duma, Xhelal Mziu, Dashamir Sula, Dhurata Çupi, Dashamir Shehi, Agron Shehaj, por edhe “besnikja” e tij, Jozefina Topalli.
Protesta kulmoi me fjalimin e Berishës, i cili nuk i kurseu akuzat në drejtim të kryeministrit Edi Rama, duke i kërkuar të largohet nga pushteti. Po ashtu ai paralajmëroi edhe vijim të protestave, teksa u kërkoi qytetarëve që t’i bashkohen në javët në vijim në aksionin për rrëzimin e Ramës nga pushteti.


Zhvillimet minutë pas minuti
21.12 Protesta mbyllet pa incidente

120 minuta protestë është mbyllur pa incidente dhe në mënyrë paqësore. Protesta u mbyll me fjalën e Sali Berishës
21.05 Berisha: Votën kurrë nuk ia falim Edi Ramës! S’e njohim pushtetin e vjerdhur

Sali Berisha akuzoi kryeministrin Rama se ka vjedhur votat dhe se nuk do e njohin pushtetin e vjedhur.
“Edi Rama, jemi sot këtu për t’u betuar para flamurit të kombit, se votën kurrë nuk ta falim, pushtetin mbi votën e vjedhur kurrë nuk ta njohim. Harroje. mos luaj me votën sepse jemi të vendosur të mos pranojmë kurrë. Jemi vendosur të bëjmë çdo sakrificë që burrat dhe gratë, djemtë e vajzat e Shqipërisë të votojnë me dinjitet dhe të votojnë të lirë. Edi Rama, ti këto kohë, këto vite, je treguar armik i fjalës së lirë. Je treguar armik i egër i fjalës së lirë. Ti ke përdorur metodat e frikës dhe terrorit për të zhytur shqiptarët në heshtje dhe mbyllur gojën e tyre. Ti ke përdorur tendera për të blerë mediat e vendit. Vërsulesh dhe shan me gjuhë ordineri gazetarët vetëm se ata bëjnë detyrën e tyre. Jam këtu për të garantuar shqiptarët se fjala e lirë do të jetë motoja jonë, beteja jonë dhe ata që guxojnë të prekin fjalin do të mjerohen”, tha Berisha
20.45: Berisha shpall armik Ramën: Kur të themi mbathja, duhet ta bësh

Duke valëvitur flamurin Shqiptar në duar, podiumit në protestë para Kryeministrisë iu bashkua edhe kreu i PD Sali Berisha. Duke i renditur, sipas tij, të gjitha skandalet dhe vjedhjet që ka bërë qeveria e Edi Ramës, Berisha i ka kërkuar atij të largohet dhe të dëgjojë zërin e popullit që sot ishte mbledhur poshtë zyrës së tij.
“Ju erdhët nga të katër anët në këtë bulevard se ju thirri ora e lirisë, ora e Shqipërisë. Shqipëria në rrezik ishte kushtrimi që ju ngriti juve në këmbë. Sot me Ramën ne jemi armiq, po pse jemi armiq. Sepse ti Edi Rama ke për ideal pushtetin dhe vetëm pushtetin, kurse unë me këta burra e gra kemi lirinë dhe vetëm lirinë. Ti do pushtetin për të pasuruar veten, kurse unë lirinë e dua për të bërë të lirë shqiptarët e për t’iu kthyer qytetarëve dinjitetin. Ti ja ke mbathur, gabim ke bërë, ne nuk veprojmë në pabesi, kur të themi mbathja do t’ia mbathësh, së dyti, mos harro i mjerë se me forcën e idealeve tona të lirisë ne thërrmojmë çdo bunker, shpojmë çdo blind, asgjë s’na ndal ne në përpjekjet për liri”, tha Berisha.
20.40 Kryemadhi: Opozita të mos zhgënjejë shqiptarët si një vit më parë

Me flamurin shqiptar në duar Kryemadhi ka kërkuar që opozita të mos zhgënjejë më qytetarët, siç bëri një vit më parë duke sulmuar në këtë mënyrë Lulzim Bashën.
“Detyra e opozitës është që të mos zhgënjejë shqiptarët siç i zhgënjyem një vit më parë. Sot më shumë se kurrë, opozita, me parti pa parti, socialistë kudo ku janë të mblidhen të tërë për të shpëtuar Shqipërinë. Shqipëria është në rrezik më shumë se kurrë, se Edi Rama siç shiti Kosovën ashtu po shet edhe tonë Shqipërinë tonë, e të rinjve e të rejave dhe studentëve ekselentë që po ikin nga vendi. Shqipëria nuk është e politikanëve, por do të kërkojnë që të qeverisen nga politikanë të mirë dhe djemtë dhe vajzat e saj”, tha Kryemadhi.
20:30 Këlliçi: Qytetarët t’i bashkohen protestave në vijim

Edhe deputeti i PD-së, Belind Këlliçi tha se protesta do të vijojnë deri në rrëzimin e kësaj qeverie.
“Shqipëria jonë është në rrezik, Rama vrau Shqipërinë e shqiptarëve. Kjo qeveri merr çdo ditë buxhetin dhe asetet e Shqipërisë. Kjo qeveri është pronarja e inceneratorëve dhe investitorëve strategjik. Pas tyre është Rama dhe Veliaj. Ata e shkatërruar kulturën, shitën Butrintin dhe larguan shqiptarët nga vendi. Shqipëria e vërtetë ka aromën e varfërisë, po asfiksohet dhe këtë mund ta shpëtojmë vetëm ne, njerëzit që sot ngrihem në këmbë që do na bashkohen në javët dhe muajt në vijim”, tha Këlliçi.
20.20: Vokshi: Sot ditë e mirë për demokracinë, s’ka më kthim pas deri në largimin e Ramës

Kryetarja e Lidhjes së gruas në Partinë Demokratike, Albana Vokshi tha se protesta është e vetmja rrugë për të larguar Ramën. Ajo tha se sot fiton demokracia dhe se nuk ka më kthim pas por vetëm që njerëzit të ngrenë zëri kundër padrejtësive.
“Jemi këtu kundër varfërisë dhe nënshtrimi ndaj një regjimi që mbjell frikë. Ne jemi njerëz të sakrificës, ne sakrifikojmë çdo ditë për familjet tona dhe ngremë zëri pa patur frikë nga ky regjim që tenton të na mbyll gojën me çdo mjet. Sot është një ditë e mirë për demokracinë dhe një ditë e keqe për qeverinë e Ramës. Ne nuk na gënjen dot, nuk na blen dot. Largohu. Sot nisim një rrugë vetëm me një drejtim, për ne nuk ka më kthim pas deri në largimin e Kryeministrit më të keq në 3 dekada demokraci. Të ngremë zërin çdo ditë kundër keqqeverisjes dhe vetëm prostatat do të mund të ndalim Ramën”, tha Vokshi.
20.13: Shehaj: S’jam këtu për veten time, por t’i kthejmë shpresën Shqipërisë

Deputeti i PD-së, Agron Shehaj mbajti një fjalë të shkurtër para protestuesve duke u kërkuar që të mos largohen nga vendi por të protestojnë për të rikthyer shpresën në vend.
“Unë nuk jam këtu për veten time dhe për Sali Berishën, por se në Shqipëri nuk ka më të ardhme. Një pjesë e qytetarëve kanë vendosur të mos na bashkohen, por po bëjnë plane t’i bashkohen atyre që kanë ikur nga Shqipëria dhe ne nuk i bëjmë dot me faj. Përball korrupsioni dhe pandëshkueshmërisë shqiptarëve u kthen shpresën vetëm oferta e ndershmërisë dhe zbatimi ligjit”, tha Shehaj.
19.40: Monika Kryemadhi i bashkohet protestës

Ashtu siç e kishte paralajmëruar, edhe LSI është bashkuar protestës. Monika Kryemadhi e shoqëruar nga nënkryetari i LSI, Petrit Vasili ndodhen në protestë.
19.20: Berisha i bashkohet protestuesve

Sali Berisha i është bashkuar protestuesve. Ai ka dalë nga selia blu dhe i shoqëruar nga disa deputetë të PD-së duke ecur në këmbë deri tek kryeministria.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




