22.5 Vite burg për policin që vrau Floyd

Ish-oficeri i policisë amerikan, Derek Chauvin u dënua me 22,5 vite burg pasi u shpall fajtor për vrasjen e afrikano-amerikanit George Floyd, vdekja e të cilit shkaktoi demonstrata kundër racizmit policor dhe dhunës në SHBA. Chauvin u shpall fajtor për vrasje të shkallës së dytë nga një gjykatë në fund të prillit, pas vdekjes së dhunshme të Floyd më 25 maj, 2020, gjatë një operacioni policor në Mineapolis. “Ne duhet të pranojmë dhimbjen e familjes Floyd”, theksoi gjykatësi Peter Cahill para se të jepte dënimin e tij, duke shtuar se “unë nuk po e bazoj gjykimin tim në opinionin publik”. Prokurorët kishin kërkuar një dënim me 30 vjet burg, ndërsa mbrojtja kishte kërkuar pezullimin e dënimit. Një avokat nga familja e Floyd mirëpriti vendimin e dënimit. “Ky vendim historik e sjell familjen Floyd dhe kombin tonë më afër shërimit”, theksoi avokati Ben Crump në një deklaratë.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




