“22 mijë më shumë të punësuar në administratë”, PD: Alarm i kuq për zgjedhjet vendore

Politikë | 4 vite më parë

Partia Demokratike ka ngritur alarmin për zgjedhjet vendore, duke akuzuar kryeministrin Rama për armatosje të pushtetit për të marrë me dhunë zgjedhjet e 14 Majit.  Sipas PD, qeveria “Rama 3” ka rreth 15 ministri nga 12 që ishin në qeverinë “Rama 2” dhe 19 në qeverinë “Rama 1”.

Në një deklaratë për media, zëdhënësja e PD, Floriana Garo ka deklaruar se Partia Demokratike do i përgjigjet armatosjes së administratës për manipulimin e zgjedhjeve dhe rëndimin e arkës së shtetit me rezistencë të çarmatosur dhe të pandërprerë. PD betohet se do kundërvëjë “shtetit të madh” dhe të kapur të Edi Ramës, alternativën e qendrës së djathtë.

“Shtet-rrumpalla elektorale e Edi Ramës është tashmë një realitet që, çdo ditë e më shumë, punon kundër një shteti serioz të shqiptarëve. Të dhënat e fundit të INSTAT, që është instituti qeveritar i statistikave, japin një shifër alarmante të fryrjes së administratës shtetërore nga Edi Rama. Që nga viti 2014 administrata shtetërore, qëndrore apo vendore, është rritur me 22 mijë vetë.  Ata që mendojnë se këto janë rroga që shkojnë për familjet shqiptare e kanë gabim. Këto janë bonuse që u jepen patronazhistëve, kujdestarëve grabitqarë të zgjedhjeve vendore dhe kuvendore në shtet-rrangallën elektorale të Ramës.

Janë para të taksave tuaja, që shkojnë në xhepin dhe kontot e tyre. Ndër këta 22 mijë vetë gjenden militantë të Rilindjes, që e marrin rrogën edhe kur janë jashtë vendit, siç e kemi denoncuar nga kjo foltore rastin e bashkisë së Vaut të Dejës.  Qeveria “Rama 3” ka rreth 15 ministri nga 12 që ishin në qeverinë “Rama 2” dhe 19 në qeverinë “Rama 1”. Në vitin 2020, nga 10 degët kryesore të ekonomisë, administrata publike ishte e treta për peshën më të lartë në ekonomi, pas bujqësisë me 19.2 %, dhe sektorit të tregtisë, akomodimit dhe transportit me mbi 15%. Partia Demokratike do t’i përgjigjet armatosjes së administratës për manipulimin e zgjedhjeve dhe rëndimin e arkës së shtetit me rezistencë të çarmatosur dhe të pandërprerë.  Ne do t’i kundërvëmë “shtetit të madh” dhe të kapur të Edi Ramës, alternativën e qendrës së djathtë, duke ftuar të na bashkohen të gjithë ata që besojnë se shteti nuk është i partisë, por i Shqipërisë. I së njëjtës Shqipëri së cilës duhet t’i dalim zot të gjithë bashkë”, tha Garo.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme