3000 biznese nga 127 vende e rajone në Ekspoziten e katërt CIIE

Kina ritheksoi të enjten përkushtimin e saj për zgjerimin e hapjes dhe ndarjen e mundësive të zhvillimit me botën. Në një videofjalim të mbajtur në ceremoninë e hapjes së Ekspozitës së 4-t Ndërkombëtare të Importit të Kinës (CIIE ), presidenti kinez Xi Jinping vuri në dukje se Kina do të zgjerojë më tej importin dhe “do të ndjekë zhvillimin e ekuilibruar të tregtisë”.
“Kina ka përmbushur plotësisht angazhimet e saj për anëtarësimin në OBT,” tha ai. “Norma e përgjithshme e tarifave të saj është ulur nga 15.3 për qind në 7.4 për qind, që është më e ulët se premtimi i bërë me rastin e anëtarësimit prej 9.8 për qind.”
Kreu i shtetit kinez u shpreh në vijim se Kina është kthyer nga ekonomia e gjashtë në ekonominë e dytë më të madhe në botë gjatë dy dekadave të fundit, ndërkohë që tregtia e saj e mallrave është rritur nga e gjashta në numrin një në botë dhe tregtia e shërbimeve nga vendi i 11-të në të dytin.
Më tej ai tha se Kina do të mbrojë me vendosmëri multilateralizmin e vërtetë, do të ndajë mundësitë e tregut me pjesën tjetër të botës, do të promovojë hapjen me standarde të larta dhe do të përkrahë interesat e përbashkëta të botës.
CIIE, e nisur në vitin 2018, është ekspozita e parë kushtuar importit në botë dhe një platformë e rëndësishme për të nxitur tregtinë e lirë globale dhe bashkëpunimin ndërkombëtar. Nga viti 2018 deri vjet, vlera e synuar e qarkullimit të tre ekspozitave të mëparshme arriti në rreth 201.6 miliardë dollarë. Edicioni i sivjetshëm, me një sipërfaqe ekspozimi më shumë se 366 000 metra katrorë, ka tërhequr afro 3000 biznese nga 127 vende dhe rajone, shifra këto që të dyja më të larta se ato të edicionit të kaluar.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




