32-vjetori i themelimit të PD, Berisha: U ngritëm si partia e lirisë, disa e kthyen në fasadë të marrëveshjeve të fshehta

Në 32 vjetorin e themelimit të Partisë Demokratike, Sali Berisha ka nderuar përkushtimin e të gjithë atyre që kontribuuan në ngritjen e partisë si dhe sjelljen e demokracisë në vend.
“Përulem me nderim të madh dhe falënderoj me mirënjohje të pakufishme ato qindra mijëra që investuan mendjen, energjitë, përkushtimin, dijet e tyre në këto dekada për transformimin e Shqipërisë, e cila me gjithë situatën realisht dramatike që ndodhet por krahasuar me Shqipërinë e 32 viteve më parë, ju garantoj se është 32 herë më larg pa asnjë krahasim. PD u themelua 32 vite më parë para së gjithash si parti e lirive dhe të drejtave të qytetarëve shqiptarë. U themelua si parti e pamposhtur e interesit kombëtar dhe çështjes kombëtare. Nuk është turp të jesh opozitë”, tha Berisha.
Gjatë fjalës së Berishës nuk kanë munguar as akuzat ndaj Lulzim Bashës se e ktheu PD në një fasadë për shkak të marrëveshjeve të fshehta që bënte me qeverinë
“Kjo parti për shkak të takimeve dhe marrëveshjeve të fshehta, për shkak të bizneseve të kreut të përziera e papërziera me qeverinë, për shkaqeve të tjera që nuk kishin të bënin me anëtarët e PD u shndërrua në një fasadë të një qeverie e cila kalonte nga skandali në skandal, nga korrupsioni, vjedhja, akte anti-demokratike dhe në zgjedhjet e 25 prillit, një besim i jashtëzakonshëm i qytetarëve shqiptarë, i popullit opozitar u tradhtua, u shkelmua për interesa më të ulëta vetëm e vetëm që PD të shndërrohej në një aleate të PS dhe Edi Ramës”, tha Berisha.
Lidhur me situatën në vend, Berisha cilësoi kryeministrin Rama si e keqja më e madhe e vendit që ka sjellë vetëm përkeqësim të gjendjes së shqiptarëve duke i larguar ato.
“Sot misioni bazë është të rikthejë votën e lirë për qytetarët shqiptarë. Motoja do të jetë, jetën e japim votën nuk e falim”, tha Berisha.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



