Hoxha nga Berlini: Zgjerimi i BE-së duhet të bazohet te merita, besueshmëria dhe rezultatet konkrete

Politikë | 57 minuta më parë

Anëtarësimi i vendeve kandidate në Bashkimin Evropian është një investim strategjik për sigurinë dhe fuqinë e Evropës. Kështu u shpreh ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, gjatë një diskutimi në Berlin, ku theksoi se procesi i zgjerimit duhet të mbështetet te besueshmëria, merita dhe progresi i prekshëm.

Hoxha mori pjesë në panelin “Evropa në zgjerim: Argumenti për Zgjerimin”, së bashku me ministrin gjerman të Shtetit për Çështjet Evropiane, Günther Krichbaum, dhe kryenegociatorin e Kosovës, Jeton Zulfaj.

Gjatë diskutimit, kryediplomati shqiptar nënvizoi konsensusin e gjerë kombëtar për anëtarësimin e Shqipërisë në BE, duke theksuar se ky angazhim duhet të përkthehet në reforma dhe rezultate konkrete.

“Për ne, integrimi evropian nuk ka të bëjë me të dukurit gati. Ka të bëjë me të qenit gati. Me reforma, zbatim dhe me marrjen e vendimeve të nevojshme për t’u bërë një anëtar plotësisht funksional i familjes evropiane”, u shpreh Hoxha.

Ai veçoi tre parime që, sipas tij, duhet të udhëheqin procesin e zgjerimit: besueshmërinë, drejtësinë dhe progresin e prekshëm. Në këtë kuadër, kërkoi një udhërrëfyes të qartë, objektiva të matshëm dhe një proces të bazuar në meritë, ku përparimi i vendeve kandidate të shoqërohet edhe me përgjigjen konkrete të Bashkimit Evropian.

“Merita duhet të funksionojë në të dyja drejtimet: kur vendet kandidate përmbushin detyrimet e tyre, Evropa duhet të përgjigjet”, theksoi ministri.

Një tjetër çështje e ngritur prej tij ishte integrimi gradual përpara anëtarësimit formal. Sipas Hoxhës, qytetarët, bizneset dhe institucionet duhet të përfitojnë dhe të marrin përsipër përgjegjësitë e integrimit edhe gjatë kohës që vendet vijojnë reformat dhe përparojnë drejt anëtarësimit.

Duke iu referuar historisë së Berlinit si simbol i kapërcimit të ndarjeve dhe ribashkimit evropian, ministri bëri thirrje për vendime të guximshme, veçanërisht në një kohë kur kontinenti përballet me kërcënime hibride, ndërhyrje të huaja, dezinformim dhe konkurrencë gjeopolitike.

“Zgjerimi mund të rezultojë një nga investimet më efikase që Evropa mund të bëjë për sigurinë e saj”, përfundoi Hoxha.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme