35 vatra zjarri në 24 orë, 8 mbeten aktive, vijojnë operacionet në disa qarqe. Situata më problematike në Gurë-Lurë të Dibrës

Aktualitet | 2 muaj më parë

Ministria e Mbrojtjes ka bërë bilancin e situatës së zjarreve në vend gjatë 24 orëve të fundit, ku janë raportuar 35 vatra zjarri. Aktualisht, 8 prej tyre vijojnë të jenë aktive, ndërsa strukturat e emergjencave po punojnë për izolimin dhe shuarjen e tyre.

Në operacionet për menaxhimin e situatës janë angazhuar 533 forca operacionale dhe 39 automjete zjarrfikëse. Në mbështetje të tyre janë aktivizuar edhe 186 efektivë të Forcave të Armatosura, 4 helikopterë dhe 2 avionë Air Tractor.

Aktualisht në terren vijojnë të operojnë 120 efektivë të Forcave të Armatosura, 2 helikopterë dhe 2 avionë Air Tractor.

Në Dajt të Tiranës vijon operacioni për shuarjen e zjarrit në zonën mbi tunelet e Qafë-Mollës. Në terren janë angazhuar 50 efektivë të Forcave të Armatosura dhe 2 helikopterë. Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, nuk raportohet rrezik për zonat e banuara.

Ndërkohë, në Priskë, Farkë dhe zonat përreth, ndërhyrja e 30 forcave të MZSH-së me 6 mjete ka bërë të mundur vendosjen e zjarrit nën kontroll.

Në Krujë, vijon puna për shuarjen e vatrave në Abazë dhe Zidoll. Ndërhyrjet nga toka, të mbështetura gjatë ditës së djeshme edhe nga ajri, kanë ndihmuar në përmirësimin e situatës.

Në Zidoll, forcat po punojnë për izolimin dhe shuarjen përfundimtare të zjarrit, ndërsa edhe këtu nuk raportohet rrezik për banesat.

Një nga operacionet kryesore vijon në Gurë-Lurë, Dibër, ku hapja e korridoreve me mjete dhe forca ka ndihmuar në frenimin e përparimit të flakëve drejt zonave të banuara.

Operacioni vijon me forcat në terren, të mbështetura nga 50 efektivë të FA-së, 2 avionë Air Tractor dhe 1 autobot uji.

Në Qafë Helmes, në zonën Bulqizë-Selishtë, operacioni vijon me mbështetjen e 20 efektivëve të Forcave të Armatosura. Edhe në këtë zonë nuk raportohet rrezik për banesat.

Në Lezhë, Elbasan dhe Shkodër vijon puna për izolimin dhe shuarjen e vatrave të mbetura në Lufaj, Dardhë dhe në pyjet e Tërbunit.

Ndërkohë, situata është përmirësuar në Përmet, Trojë, Qukës dhe Paulesh, ku zjarret janë shuar plotësisht falë ndërhyrjes së forcave operacionale.

Ministria thekson se Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile (AKMC) vijon monitorimin e pandërprerë të situatës dhe koordinimin e strukturave të Mbrojtjes Civile, me prioritet mbrojtjen e jetës së qytetarëve, banesave dhe vënien sa më shpejt nën kontroll të vatrave aktive.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme