5 vite nga shembja e urës Morandi, përkujtohen 43 viktimat e tragjedisë

Kanë kaluar pesë vite nga shembja e urës Morandi në Genova të Italisë, që shkaktoi 43 viktima dhe shkatërroi një lagje të tërë.
Mes viktimave ishin edhe dy të rinj emigrantë shqiptarë, kur një pjesë e strukturës së urës 250 metra të gjatë u shemb papritmas gjatë një stuhie, duke bërë që automjetet që po e kalonin, të rrëzoheshin në lumin e tharë poshtë saj.
Në këtë përvjetor, homazhet u bënë nga Bashkia e Genova-s së bashku me Komitetin e Familjarëve të Viktimave të Urës Morandi.
Në orën nëntë, kryepeshkopi i Genova-s, Marco Tasca, mbajti një meshë në kishën famullitare të San Bartolomeo della Certosa.
Për këtë tragjedi po gjykohen 59 persona.
Mes tyre janë drejtuesit e Autostrade per l’Italia (Aspi), duke filluar nga ish-drejtori i përgjithshëm Giovanni Castellucci, si dhe Spea, kompania përgjegjëse për mirëmbajtjen e autostradës.
Në mesin e të akuzuarve janë edhe teknikë e drejtues të Ministrisë së Transporteve, të cilët duhet të kishin mbikëqyrur kompaninë koncesionare Aspi.
Ata janë nën akuzë për vrasje të shumëfishtë, “cenimin” e sigurisë së transportit, mosveprime zyrtare si edhe falsifikime.
Gazetar: A. Mata
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




