50-vjetori i themelimit/ PD: Akademia e Shkencave është kthyer në skutë politike

Për Partinë Demokratike Akademia e Shkencave është kthyer në skutë politike, pjesë e një shteti që i ka të gjitha pushtetet. Në një dalje për mediat deputetja e PD Ina Zhupa komentoi ceremoninë e 50-vjetorit të themelimit të Akademisë së Shkencave. Sipas saj ceremonia ishte një plenum i Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Rilindur.
PD akuzon Edi Ramën se ka kthyer akademinë në një prej institucioneve themeltare të Republikës në një azil pensionistësh politikë, kontributi i fundit në shkencë i të cilëve ka qenë para rrëzimit të komunizmit.
Zhupa tha se Partia Demokratike do ndjekë te gjitha hapat e nevojshëm, që Akademia të mos jetë pensionim luksi për politikanët e fundit të diktaturës, por institucion i pavarur nga politika, institucion mendimi dhe qëndrimesh publike në të mirë të zhvillimit të shtetit dhe kombit.
“Ceremonia që ndoqët sot duhet të ishte një ditë feste për shkencën dhe mendimin shqiptar. Siç e prisnim dhe siç e patë, nuk rezultoi më shumë se një plenum i Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Rilindur, një takim i udhëheqësit me shokët e një Akademie pa shkencë dhe të pashoqe në botë.
Për faktin e thjeshtë dhe fatin e keq, se Akademia e Shkencave është kthyer në skutë politike, pjesë e një shteti që i ka të gjitha pushtetet.
Një Akademi shkencash serioze do të kishte folur ndërkohë për udhëkryqet ku gjendet Shqipëria: Për dramën e shpopullimit; Për Ballkanin e Hapur që, nën maskën e lirisë, kthen ditët e Jugosllavisë; Për rrënimin e trashëgimisë kulturore, si në rastin e Butrintit, ku kryetari i Akademisë tha se nuk i kishte pyetur njeri; Për tekstet shkollore me plot marrëzira, ndër të tjera prindi 1 dhe prindi 2; Për idenë kombëtare, apo ku po shkon kombi në 100 vjetëshin e dytë të ekzistencës si shtet.Vepra e vetme në shkencë e Akademisë mbetet pamfleti udhëzues për Covid-19, një doracak i shkarkuar në internet.
Por, të presësh më shumë nga kjo Akademi do të thotë të kesh pritshmëri, së pari nga kreu i saj, dhe së dyti nga ai që e caktoi në drejtim të këtij institucioni. Ju kujtojmë se sot Akademia e Shkencave drejtohet në mënyrë të paligjshme nga Skënder Gjinushi, nje kryetar i padekretuar nga Presidenti i Republikes.
Mos dekretimi erdhi për shkak të faktit se Gjinushi ishte në shkelje flagrante të ligjit: mbante postin e kryetarit të një partie politike dhe emërohej në krye të Akademise se Shkencave.
Ju lujtojmë gjithashtu se Skënder Gjinushi, ka qenë ministri i fundit i Arsimit i diktaturës Hoxha-Alia.
Ju kujtojmë se “Ligji për Akademinë e Shkencave” eshte antikushtetues, sepse Asambleja e ASH ka marrë kompetenca qe i ka vetem parlamenti, duke miratuar kryetarin pa dekret.
Dekretimi i Kryetarit te ASh eshte komptence eksplicite e Presidentit e shprehur ne kushtetute.
Në këto kushte nuk kemi Akademi që përcakton programacionin e kombit dhe të shtetit, por një seksion të pushtetit të Edi Ramës.
Edi Rama e ka kthyer një prej institucioneve themeltare të Republikës në një azil pensionistësh politikë, kontributi i fundit në shkencë i të cilëve ka qenë para rrëzimit të komunzimit.
Të bësh shkencë me njerëzit e Pilo Peristerit në kohën e Elon Musk, është një përrallë nga Zululandi.
Partia Demokratike do ndjekë te gjitha hapat e nevojshëm, ne gjykatat kombëtare edhe ndërkombëtare, qe Akademia të mos jete pensionim luksi për politikanët e fundit të diktatures, por institucion i pavarur nga politika, institucion mendimi dhe qendrimesh publike në të mirë të zhvillimit të shtetit dhe kombit”, tha Zhupa.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




