88 kompani izraelite në Shqipëri për Javën e Teknologjisë! Veliaj: Në Kashar, qendër të re për teknologjinë

Nisi sot Java e Teknologjisë Tirana-Tel Aviv, në qendër të së cilës është teknologjia dhe inovacioni, ku morën pjesë 88 kompani lider si dhe investitorë potencialë nga Izraeli.
Kjo ngjarje synon njohjen e sipërmarrësve izraelitë të teknologjisë dhe informacionit dhe kompanitë shqiptare lider në fushën e teknologjisë për krijimin e urave të bashkëpunimit mes tyre.
Kryebashkiaku Erion Veliaj tha se Tirana ka potencialin të jetë Tel-Avivi i Ballkanit. Lidhur me projektin e rijetësimit të Piramidës, Veliaj tha se së shpejti hap dyert si qendra më e madhe të teknologjisë në rajon.
Gjithashtu Veliaj tha se në zonën e Kasharit do krijohet një hapësirë e lirë ekonomike edhe për bizneset që punojnë në fushën e teknologjisë.
“Sot kemi 88 kompani nga Izraeli në Tiranë. Janë 88 mundësi për të lidhur 88 fije bashkëpunimi mes Tiranës dhe Tel-Avivit, ose Shqipërisë dhe Izraelit. 50% e ekonomisë së vendit zhvillohet në Tiranë. Tirana është zyrtarisht qyteti më i ri në Evropë, patjetër është edhe i vetmi qytet që rritet çdo vit. Bashkë me Fondin Shqiptaro-Amerikan të Zhvillimit kemi hapur një thirrje te Piramida, për start up-et apo kompanitë që duan të vendosen aty. Gjithashtu, sapo kemi marrë pjesën e fundit të tokës te “Zona e Lirë Ekonomike” në Kashar.
Është një hapësirë ideale, sepse lidhet fare mirë edhe me rrugën e Kombinatit, në Jug të Tiranës, edhe me një zonë shumë të madhe si “Astiri”, ku një pjesë e të rinjve fillojnë jetesën e tyre në Tiranë. Është shumë afër zonave të banuara, ku jetojnë shumë të rinj, që merren me aktivitete të tilla, po ashtu është e lidhur me autostradën. Është shumë afër aeroportit dhe shumë afër portit”, tregoi Veliaj.
Ambasadorja e Izraelit në Tiranë, Galit Peleg tha se Shqipëria ka hyrë në dekadën e dytë të zhvillimit të shpejtë të infrastrukturës së saj.
“Është një gjeneratë e re e talentuar, e cila di të flasë disa gjuhë të huaja, ka njohuri, dhe është një potencial i shkëlqyer për gjithçka që janë duke kërkuar kompanitë izraelite lidhur me partnerë dhe punonjës. Shqipëria ka hyrë në dekadën e dytë të zhvillimit të shpejtë të infrastrukturës së saj, e cila ka për ta përgatitur për fazën e radhës. Shqipëria është vendi më miqësor me Izraelin. Përveç faktit që njerëzit janë shumë të mirë, si përfaqësuese e Izraelit mendoj se përfshirja e Izraelit ka përfitime në të dyja shtetet”, u shpreh ambasadorja.
Pjesëmarrja nga pala shqiptare në javën e teknologjisë përfshin përfaqësues të institucioneve të qeverisjes qendrore dhe lokale, përfaqësues nga biznese të ndryshme, si sektori bankar, sektori i sigurimeve, agro-përpunimit, turizmit, shërbimeve dhe industrive përpunuese, si dhe përfaqësues nga institucionet akademike të arsimit të lartë.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




