97-vjeçari që ecën 5 km çdo ditë- Shefki Kordalli, banori më i vjetër i Bilishtit

Quhet Shefki Kordalli, 97 vjeç. Ai është personi më i vjetër i qytetit të Bilishtit. Por kjo nuk është e vetmja veçanti e tij, pasi Shefkiu nuk është nga ata të moshuarit që kanë zënë krevatin për shkak të problemeve a sëmundjeve. Prej momentit që ka dalë në pension, që 35 vjet më parë, 97- vjeçari ecën nga 5 km në ditë, një ritual që vijon rregullisht dhe i jep jetë e shëndet.
Shefkiu tregon arsyen se pse ka zgjedhur të bëjë këtë lloj lëvizje, madje bën thirrje edhe për të rinjtë që të merren me sport, pasi në këtë mënyrë do të jenë më të shëndetshëm.
Shefki Kordalli ka qenë valltar. Ai ka marrë pjesë në festivale të ndryshme brenda e jashtë vendit duke përfaqësuar qytetin e tij. Është ky profesion që ka përbërë edhe motivin më të bukur të jetës së tij.
97- vjeçarin e njohin pothuajse të gjithë në qytetin e Bilishtit duke e përshëndetur çdo ditë kur ai bën ecje nëpër rrugë.
I moshuari ka vijuar sërish ritualin e tij të përditshëm, si për të na treguar se marrja me sport dhe ecja në natyrë është një nga zgjedhjet më të mira që njeriu mund të bëjë për një jetë më të shëndetshme.
Gazetare: K.Koçi
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




