Amnistia fiskale, Dhoma Amerikane: Minon klimën e biznesit, rrezikon investimet! Qeveria të tërhiqet

Ekonomi | 4 vite më parë

Projektligji për amnistinë fiskale është kundërshtuar edhe nga Dhoma Amerikane e Tregtisë, duke i kërkuar qeverisë të tërhiqet nga një nisëm e tillë. Në arsyetimin e saj, Dhoma Amerikane e Tregtisë shprehet se kjo nismë do të minonte klimën e biznesit dhe investimeve duke favorizuar konkurrencën e pandershme, ndërsa do të minonte dhe reputacionin e vendit lidhur me pastrimin e parave.

Në deklaratën e tyre thuhet nuk garantohet që personat e inkriminuar nuk do të përfitojnë nga kjo amnisti.

“Dhoma Amerikane e Tregtisë në Shqipëri shpreh shqetësimin e saj mbi projektligjin e amnistisë fiskale, që ka hyrë në fazën e konsultimit publik, në një moment sensitiv të anëtarësimit të Shqipërisë në BE. Vlerësimi jonë është se projektligji nuk ofron garanci të mjaftueshme që individët e implikuar në veprimtari kriminale do të përjashtohen nga amnistia. Nëse miratohet, legjislacioni do të minonte përpjekjet për të përmirësuar klimën e biznesit dhe investimeve, duke shpërblyer konkurrencën e pandershme. Ne gjithashtu vlerësojmë se pozita e Shqipërisë në programet ndërkombëtare të monitorimit mbi pastrimin e parave do të rrezikohej dhe si rrjedhojë reputacioni i vendit do të dobësohej. Si konkluzion, Dhoma Amerikane e Tregtisë në Shqipëri shprehet se rreziqet e projektligjit të ri tejkalojnë ndjeshëm përfitimet e tij dhe rekomandon tërheqjen e kësaj nisme”, thuhet në njoftimin e Dhomës Amerikane të Tregtisë.

Më herët edhe BE u shpreh kundër kësaj nime duke arsyetuar se projektligji i amnistisë fiskale do të dobësonte kontrollet e autoriteteve shqiptare kundër pastrimit të parave duke shfaqur në këtë mënyrë probleme mjaft serioze që shqetësojnë edhe vendet anëtare të BE si dhe rrezikon reputacionin e vendit.  

Në projektligjin e ri të amnistisë fiskale do të lejohet që emigrantët, rezidentët, bizneset dhe shtetasit e huaj që janë tatimpagues në Shqipëri të deklarojnë vullnetarisht deri në 2 milionë euro pa pasur frikën e ndjekjes panele dhe pa qenë nevoja të verifikojnë burimet e të ardhurave të tyre.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme