Banka e Shqipërisë zgjat linjën e kredisë me Bankën Qendrore Europiane deri në janar 2023

Ekonomi | 5 vite më parë

Banka e Shqipërisë njoftoi të hënën zgjatjen e marrëveshjes për një linjë likuiditeti me Bankën Qendrore Europiane (BQE) deri në 15 janar të vitit të ardhshëm.

Linja e kredisë në fjalë u miratuan në vitin 2020, pas shpërthimit të pandemisë. Ajo kishte si qëllim sigurimin e likuiditetit në euro për institucionet financiare të vendit, nëpërmjet bankës qendrore.

Linja e kredisë ishte parashikuar të skadonte në fund të marsit 2022, duke qenë se ajo synonte në mënyrë specifike adresimin e nevojave të mundshme të likuiditetit në euro, të lidhura me efektet e pandemisë së Covid-19. Por, pas kërkesës së Bankës së Shqipërisë, kjo linjë është zgjatur deri në janar të vitit të vitit të ardhshëm. Në kontekstin e tensioneve të rritura gjeopolitike të shkaktuara nga pushtimi rus i Ukrainës, Banka e Shqipërisë ka vlerësuar të nevojshme mbajtjen në dispozicion të kësaj linje mbështetjeje me likuiditet.

Pavarësisht se deri tani kjo marrëveshje huaje e kolateralizuar (REPO) nuk ka qenë e nevojshme të përdoret, Banka e Shqipërisë vlerëson se ky instrument rezerve mbetet i dobishëm në kuadër të kujdesit ndaj efekteve të pandemisë dhe të zhvillimeve gjeopolitike, mbi tregun financiar. Në rast nevoje, Banka e Shqipërisë mund të sigurojë financime nëpërmjet mekanizmit EUREP deri në vlerën e 400 milionë eurove. Kjo marrëveshje parashikon që Banka e Shqipërisë të mund të sigurojë financime për nevoja likuiditeti nga BQE, në këmbim të kolateralit të përshtatshëm në euro. BQE ka vendosur gjithashtu të shtrijë linjat e saj të përkohshme të këtij lloji edhe me bankat qendrore të Hungarisë, Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së San Marinos.

Deri para vitit 2020, Banka e Shqipërisë dhe bankat e tjera të rajonit nuk kishin në dispozicion mekanizma të sigurimit të likuiditetit nga BQE-ja. Instrumenti EUREP ishte mekanizmi i parë i këtij lloji. Sektori bankar në Shqipëri ka rreth 5.4 miliardë depozita në euro, ndërsa rezerva valutore e bankës qendrore ka vlerën e pothuajse 5 miliardë eurove. Megjithatë, pasiguria e shkaktuar nga faktorë me impakt global, si pandemia apo lufta në Ukrainë, e ka shtyrë Bankën e Shqipërisë të parashikojë edhe plane rezervë, si linja EUREP me BQE-në.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme