Komisioni Europian, 3.2 miliardë euro fonde për Ballkanin

Ekonomi | 5 vite më parë

Komisioni Evropian paraqiti të premten paketën e investimeve prej 3.2 miliardë euro të ashtuquajtur të ndërlidhjes në Ballkanin Perëndimor. Paketa me 21 projekte të transportit, digjitalizimit, klimës dhe ndërlidhjes së energjisë në Ballkanin Perëndimor është e para në kuadrin e planit ambicioz ekonomik dhe të investimeve të BE-së për Ballkanin Perëndimor, të miratuar në tetor 2020.

Projektet janë krijuar për të sjellë përfitime të prekshme për të gjashtë partnerët në rajon.

Komisioneri i BE-së për Fqinjësinë dhe Zgjerimin, Olivér Várhelyi, tha: “Me këtë paketë të madhe investimesh ne po përshpejtojmë zbatimin e Planit Ekonomik dhe të Investimeve për Ballkanin Perëndimor në terren. Ne i kemi identifikuar këto projekte të mëdha në bashkëpunim të ngushtë me partnerët tanë. Ndërlidhjet më të mira dhe më të qëndrueshme në transport, në infrastrukturën digjitale dhe në energjinë e rinovueshme do të nxisin ekonominë, do të çojnë përpara tranzicionin e gjelbër dhe digjital të rajonit, si dhe do të sjellin një numër mundësish për njerëzit dhe bizneset në Ballkanin Perëndimor dhe në mbarë BE-në. Këto investime do të përshpejtojnë gjithashtu integrimin e rajonit, në përputhje me perspektivën e tij të qartë evropiane”,-tha Olivér Várhelyi.

Pritmëria është që Plani Ekonomik dhe i Investimeve të mobilizojë deri në 30 miliardë euro investime, si një kombinim i granteve, kredive preferenciale dhe garancive.

Plani do të ndihmojë për mbylljen e hendekut të zhvillimit mes Bashkimit Evropian dhe rajonit, si dhe do të mbështesë rimëkëmbjen ekonomike pas pandemisë. Plani do të ndihmojë gjithashtu për zbatimin e strategjisë më të gjerë të BE-së “Global Gateway”, që nisi në dhjetor 2021.

/rtsh/

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme