QKB ashpërson masat për kompanitë që deklarojnë të dhëna të pavërteta

Qendra Kombëtare e Biznesit do të penalizojë me gjoba deri 60 mijë lekë kompanitë që deklarojnë të dhëna të pavërteta në regjistrin e QKB-së.
Ndryshimet në ligjin “Për regjistrimin e biznesit”, u publikuan këtë javë në Fletoren zyrtare.
Ndërkohë që ashpërsim të penaliteteve përcaktohen edhe në rastet kur kompanitë nuk respektojnë afatet kohore për deklarimin e të dhënave. “Moskryerja e detyrimit për regjistrimin fillestar dhe regjistrimet e tjera të detyrueshme brenda afateve të parashikuara nga ky ligj, përbën kundërvajtje administrative dhe dënohet me gjobë 60 mijë lekë”, përcakton ligji.
Regjistri duhet të përmbajë të dhëna, që i përkasin themelimit, veprimtarisë dhe çregjistrimit të subjekteve, çdo ndryshim në status dhe organizimin e subjektit, të dhëna, që i përkasin atij në lidhje me përfaqësimin, si dhe të dhëna të tjera, të parashikuara me ligj.
Detyrimin për regjistrim e kanë subjektet tregtare; shoqëritë e thjeshta, sipas dispozitave të Kodit Civil; personat fizikë, sipas kuptimit të Kodit Civil, që nuk kanë cilësinë e tregtarit, që ushtrojnë veprimtari ekonomike apo një profesion të pavarur; zyrat e përfaqësimit të shoqërive shqiptare dhe të shoqërive të huaja; shoqëritë dhe unionet e kursim-kreditit; shoqëritë e bashkëpunimit të ndërsjellë; çdo subjekt tjetër, i cili me ligj detyrohet të regjistrohet pranë QKB-së.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




