Finalizohet tenderi për gjeneruesin termik, impianti do të instalohet pranë TEC Vlora

Ekonomi | 5 vite më parë

Korporata Elektroenergjetike Shqiptare ka finalizuar procedurën,  për marrjen me qira të një aseti gjenerues termik të energjisë. 
Fitues është shpallur konsorciumi i kompanive Exelerate Energy dhe Renco s.p.a.

Sipas faqes së saj të internetit, kompania Exelerate Energy është prezente në disa vende të botës,duke përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Amerikën e Jugut apo lindjen e mesme.

Ndërsa kompania italiane Renco, prej vitit 2016 ka një zyrë përfaqësie edhe në Shqipëri. Ndërkaq, ende nuk është bërë publik çmimi, me të cilin është shpallur fitues ky bashkim operatorësh apo kapaciteti i instaluar, që do të ketë impianti, që do të prodhojë energji nga karburanti. 

Sipas termave të referencës impianti do të instalohet pranë TEC Vlora, për të shfrytëzuar infrastrukturën ndërlidhëse me rrjetin e transmetimit të TEC –it. Gjithashtu, impianti do të jetë i lundrueshëm, teksa vendi i pozicionimit parashikohet të jetë baseni i Triportit. Kohëzgjatja e qerasë do të jetë për një periudhë 2-vjeçare, ndërsa qëllimi është diversifikimi i burimeve të prodhimit të energjisë.

Në tetor, Shqipëria shpalli një emergjencë energjetike për shkak të mungesës së energjisë elektrike për konsum të brendshëm të shkaktuar nga kriza energjetike.

Arsyet kryesore për marrjen me qira të një TEC-i janë prodhimi i sasisë totale të energjisë elektrike të nevojshme për të përmbushur detyrimin e furnizimit publik, duke siguruar një kapacitet gjenerues rezervë për të garantuar sigurinë e furnizimit me energji elektrike, duke optimizuar prodhimin e energjisë elektrike nga të dy hidrocentralet dhe burime termike për të përmbushur kërkesat gjatë gjithë vitit, dhe arritjen e të ardhurave të tepërta nga transaksionet tregtare në një treg të çrregulluar. 

Mbi 20 milionë euro janë shpenzuar nga Korporata Elektorenergjetik Shqiptare në 2 javët e para të muajit janar për blerjen e energjisë, sipas të dhënave zyrtare. 

Gjatë kësaj periudhe që çmimi mesatar me të cilin është siguruar energjia arriti në rreth 230 euro/mwh.

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme