Shkëmbimet tregtare me Turqinë, 81 miliardë lekë

Turqia është një partner i rëndësishëm i Shqipërisë në tregtinë ndërkombëtare.
Instituti i Statistikave publikoi së fundmi raportin mbi tregtinë e jashtme për periudhën janar-nëntor sipas të cilit Turqia renditet partneri i dytë tregtar, duke zënë 7.8 % të vëllimit.
Shkëmbimet tregtare me Turqinë në 11 muajt e këtij viti, kanë arritur 81 miliardë lekë.
Referuar të dhënave për periudhën janar-nëntor eksportet shqiptare drejt Turqisë u rritën me 2.5 herë duke shkuar 5 miliardë lekë, nga rreth 2.4 miliardë lekë që ishin 11-mujorin e 2020-ës, ndërsa importet për periudhën 11-mujore llogariten 76.4 miliardë lekë.
Nga Turqia, janë importuar 20 miliardë lekë materiale ndërtimi dhe metale si dhe 17.4 miliardë lekë tekstile dhe këpucë. Ndërkohë importi i produkteve kimike dhe plastike llogaritet gati 10 miliardë lekë.
Produktet më të eksportuara janë mineralet dhe metalet, bimët aromatike e mjekësore, dhe produktet fason.
Shqipëria ka një marrëveshje të tregtisë së lirë me Turqinë, të nënshkruar në 2006, dhe e cila ka hyrë në fuqi në maj 2008. Nëpërmjet kësaj marrëveshje dy vendeve u krijohen mundësi për rritjen e shkëmbimeve tregtare ndërmjet tyre.
Eksportuesit shqiptarë mund të përfitojnë nga marrëveshja e tregtisë së lirë mes Shqipërisë dhe Turqisë, e cila u jep atyre mundësinë e eksportit të një numri produktesh shqiptare në tregun rajonal pa tarifa doganore ose me kuota tarifore.
Eksportet e produkteve industriale me origjinë shqiptare janë të liberalizuara. Ndërkohë, për produktet bujqësore palët i kanë akorduar reciprokisht njëra-tjetrës tarifa preferenciale dhe kuota tarifore.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




