Moti i keq sjell probleme në portet e Durrësit dhe Vlorës

Ekonomi | 5 vite më parë

Është përkeqësuar përsëri moti në Durrës, duke sjellë problem në lëvizjen e trageteve. Moti me erë dhe dallgë që ka përfshirë që mbrmjen e djeshme gjirin e Durrësit, ka shkaktuar vonesa në lundrimin e trageteve. 
Burime nga kapiteneria e portit bëjnë të ditur se, si nga Durrësi, ashtu edhe nga Bari, tragetet janë nisur me vonesë. 
Trageti “Golden Bridge” i parashikuar për t’u nisur mbrëmjen e djeshme rreth orës 23:00 për në Bari, është nisur vetëm pas tre orësh,  rreth orës 02:00 të ditës së sotme. Trageti “Rigel III” i parashikuar po ashtu për t’u nisur mbrëmjen e djeshme, nuk është nisur fare. Ndërkaq, në portin e Durrësit nuk është ankoruar ende asnjë traget që vjen nga Bari. Dy tragetet: “Rigel VII” dhe “Af Francesca” duhej të kishin mbërritur në portin e Durrësit në orën 08:00 të kësaj të enjteje, por kapiteneria bën me dije se ata do të mbërrijnë në port rreth orës 13:00.

Moti i keq me reshje shiu e ere të fortë e ka bërë të pamundur ankorimin e tragetit me pasagjerë që mbërriti nga Brindisi i Italisë në portin e Vlorës. Autoriteti Portual Vlorë bën me dije aktualisht trageti i linjës Vlorë-Brindisi-Vlorë po qendron në radë dhe do të ankorohet sapo të përmirësohen kushtet atmosferike për të zbritur më pas pasagjeret. Ndërkohë sot  pezullua edhe lundrimi per anijet e peshkimit ne Vlorë dhe mjetet e vogla, teksa dallgët në det shkojnë në lartësi nga 1.50 deri në 2.50 metra.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme