Borxhi publik 2021- Shqipëria dhe BE

Sipas kritereve, vendet e BE-së, në Traktatin e Mastrihtit në vitin 1992, vendosën si kufi maksimal për borxhin publik të qeverive 60% të PBB dhe 3% për deficitin buxhetor.
Sipas të dhënave të Eurostat, në vitin 2020, borxhi i qeverive shënoi rritje kudo në Europë si pasojë e efekteve negative që solli kriza e pandemisë. Raporti i borxhit ndaj PBB-së në BE u rrit nga 77.5% në fund të vitit 2019 në 90.7% në fund të vitit 2020.
Shqipëria u rendit në vendin e 13 për raportin e lartë të borxhit me PBB në vitin 2020 në 36 vende europiane. Gjatë vitit pandemik, borxhi publik i vendit tonë u rrit me 11.6 pikë përqindje, duke arritur në fund të vitit 2020 në 77.8% nga 66.2% që ishte në fund 2019.
Të gjitha Shtetet Anëtare të BE regjistruan rritje në raportin e borxhit të tyre ndaj PBB-së në fund të vitit 2020. Vendi me borxhin më të lartë publik në raport me PBB edhe më 2020 ishte Greqia me 205% të PBB-së, më pas Italia me 155.5 % te PBB-së. Portugalia me 133.6%, Spanja 120 %, Qipro me 118%, Franca me 115%, Belgjika me 114%, Kroacia, 88.7%, Austria 83.9%, Sllovenia 80.8%, Hungaria 80.4%, Mali i Zi 79.4% dhe Shqipëria 78.5%. Pra asnjë nga këto vende nuk respektoi Traktatin e Mastrihtit!
Sipas shpjegimeve të Eurostat borxhi u rrit në të gjithë Europën për dy arsye: E para tkurrja e PBB-së dhe e dyta zgjerimi i shpenzimeve dhe rënia e të ardhurave buxhetore.
Ministria e Financave ka argumentuar se borxhi publik në Shqipëri u rrit si rrjedhojë e pandemisë COVID-19, e cila pasoi tërmetin e fortë që goditi Shqipërinë në nëntor të vitit 2019.
Ekspertët kanë analizuar se, duke shtuar faturën e detyrimeve të prapambetura dhe borxhin e papërllogaritur të financimit të koncesioneve, treguesi real shkon në mbi 84% të PBB-së. Të dhënat zyrtare tregojnë se në 10 vitet e fundit, borxhi është rritur me ritme më të larta se ekonomia. Teoritë ekonomike e lidhin ngushtësisht ndikimin që borxhi publik ka në rritjen ekonomike. Sipas kritereve, vendet e BE-së vendosën në Traktatin e Mastrihtit në vitin 1992 si kufi maksimal 60% të PBB për borxhin publik të qeverive dhe 3% për deficitin buxhetor.
Ministria e Financave parashikon që shërbimi i borxhit, pagesa e principalit dhe interesave në një vit fiskal të arrijnë 50 miliardë lekë, ose 406 milionë euro në një vit. Qeveria shqiptare ndau nga buxheti në 10 mujorin 2021 rreth 33 miliardë lekë (267 mln euro) për të shlyer interesat e borxhit publik.
Kjo shumë ishte më e larta që nga viti 2013, sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Financave të azhurnuara në treguesit mujorë fiskalë.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




