Sa shqiptarë përfitojnë nga sigurimet shoqërore

Ekonomi | 5 vite më parë

Shqipëria dhe Kosova përmbyllën me sukses këto ditë negociatat për marrëveshjen në fushën e sigurimeve shoqërore. Burimet zyrtare nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë thanë për RTSH se janë duke përmbyllur procesin e hartimit dhe miratimit të marrëveshjes në fushën e sigurimeve shoqërore me Kosovën.

Në takimet dypalëshe të zhvilluar këtë muaj në Kosovë, u dakordësua për thellimin e bashkëpunimin, si dhe për të finalizuar marrëveshjen e plotë, për koordinimin e skemave të sigurimeve shoqërore, në përputhje me legjislacionin europian.

Objekt i kësaj marrëveshje janë përfitimet nga skema shqiptare e detyrueshme e sigurimeve shoqërore të cilat përfshijnë: Përfitimet në para për barrëlindje për personat e punësuar; personat e vetëpunësuar si dhe për punëdhënësit; përfitimet në para për aksidentet në punë dhe sëmundjet profesionale për personat e punësuar; për pensionin e pleqërisë, të invaliditetit dhe familjare për personat e punësuar dhe të vetëpunësuarit, si dhe për punëdhënësit.  

Aktualisht Shqipëria ka marrëveshje në fushën e sigurimeve shoqërore me: Hungarinë, Çekinë, Gjermaninë, Maqedoninë, Luksemburgun, Bullgarinë, Austrinë, Turqinë dhe Belgjikën.

Deri tani 3,100 shtetas shqiptarë, që jetojnë dhe punojnë brenda territorit të vendit  kanë përfituar nga marrëveshjet dypalëshe, të lidhura.

Qeveritë Shqiptare në vite kanë ngulmuar për të siguruar marrëveshje dypalëshe edhe me shtetet ku niveli i emigrimit është i konsiderueshëm, si në Greqi dhe Itali. Apo edhe përtej Atlantikut, por negociatat nuk kanë mundur të përfundojnë me përfitimet reciproke që ato sigurojnë.

Këto marrëveshje dypalëshe sigurojnë mbrojtje shoqërore për qytetarët shqiptare, që jetojnë në këto vende.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme