Evropa përballet me rritje të çmimeve, Gjermania pezullon certifikimin e gazsjellësit rus

Rregullatori federal gjerman i energjisë tha se ka ndaluar përkohësisht procesin e miratimit të gazjesllësit rus “Nord Stream 2 ”. Përmes këtij gazsjellësi Rusia synon ta furnizojë Gjermaninë me gaz natyror.
Agjencia Federale e Rrjetit (Bundesnetzagentur), njoftoi më 16 nëntor se ka pezulluar procedurën e certifikimit për gazsjellësin, punimet e së cilit kanë përfunduar gjatë periudhës së fundit. Rregullatori gjerman arriti në përfundimin se “do të ishte e mundur të certifikohej një operator i gazsjellësit Rrjedha Veriore 2 vetëm nëse ai është i organizuar sipas ligjit gjerman”.
Sipas agjencisë një degë e krijuar për të administruar pjesën gjermane të gazsjellësit nuk i plotësonte kushtet për të qenë një “operator i pavarur transmetimi”. Vendimi i rregullatorit ndodh pasi Evropa po përballet me rritjen e çmimit të energjisë. Një të tretën e furnizimeve me gaz Evropa e ka nga Rusia.
Tubacioni rus do të dyfishojë furnizimet me gaz rus në Gjermani. Autoritetet gjermane kanë thënë se tubacioni është i nevojshëm për ta ndihmuar vendin të shmang qymyrin dhe energjinë bërthamore. Gjermania është ekonomia më e madhe evropiane. Por, kritikët thonë se gazsjellësi do të rrisë varësinë energjetike të BE-së nga Rusia, ndërkohë që do t’i mundësojë Moskës të shmang Ukrainën, duke i pamundësuar këtij vendit të përfitojë miliarda dollarë në vit tarifa tranziti./rel
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




