1 Shtatori, fiskalizim për çdo transaksion

Ekonomi | 5 vite më parë

Kjo është tabela e përditësuar e datës 31 gusht që tregon të gjithë ecurinë e procesit të fiskalizimit, duke filluar nga data 1 janar 2021, që ëshënoi fazën e parë të këtij procesit të rëndësishëm dhe që vijoi me datën 1 korrik tëp o këtij viti kur u kërkua të fiskalizohej procesi i transaksioneve ndërmjet bizneseve.

Në total janë 120,000 tatimpagues që kanë detyrimin të fiskalizohen, sipas të dhënave zyrtare të tatimeve.

Sipas të dhënave të DPT deri tani janë pajisur 53, 492 subjekte me certifikatë elektronike, që është hapi i parë për të zbatuar procesin. Para nisjes të fiskalizimit të gjitha bizneset duhet të pajisen me certifikatën elektronike të cilën e lëshon AKSHI me një kosto vjetore prej 4,000 lekësh dhe të jenë të regjistruara në portalin SelfCare. Kjo certifikatë u nevojitet tatimpaguesve për të kryer të gjitha llojet e shërbimeve që ofron e-Albania.

Sikurse shihet në tabelën e përditësuar, deri tani janë 23,345 biznese të fiskalizuara, apo rreth 20% e atyre që kanë detyrimin për ta bërë. Një numër po kaq i madh është në pritje për të marrë certifikatën e kërkuar nga ligji.

Faza e tretë konsiderohet më e rëndësishmja për t’u zbatuar për shkak të numrit të lartë të sipërmarrjeve që kanë detyrimin të fiskalizohen. Por edhe sepse kjo është faza përfundimtare e procesit që mbyll këtë angazhim të tatimorëve që prezantohet si revolucion në skemën e të hyrave fiskale.

Në total janë 86,000 biznese që iu duhet që prej datës 1 shtator të ndryshojnë faturimin.

Administrata tatimore ka njoftuar nëse do të ketë shtyrje të afatit për përdorimin e faturës tatimore ekzistuese dhe se procesi i fiskalizimit do të përfundojkë sipas ligjit. Agjencia ligjzbatuese nuk ka tagrin të ndryshojë afatet.

Sipas autoritetit fiskal të gjithë subjektet tatimpagues që mbartin detyrimin të lëshojnë fatura, me hyrjen e plotë në fuqi të ligjit do të duhet të lëshojnë vetëm fatura të fiskalizuara.

Për efekte fiskale pas datës 1 Shtator nuk do të jenë të vlefshme faturat e tjera jo të fiskalizuara

Deri më tani, sipas të dhënave zyrtare, janë 23,345 biznese të fiskalizuara dhe 21,9 milionë fatura të fiskalizuara, duke filluar nga 1 Janari i këtij viti. Tatimpagues që kanë lëshuar fatura me parë në dorë në total janë 15,993 dhe tatimpagues që kanë lëshuar fatura pa para në dorë janë 15,403. Nga të dhënat rezulton se numri i faturave me para në dorë është 20,6 milionë dhe i faturave të fiskalizuara pa para në dorë është 1,3 milionë. Bazuar në një akt normativ që hyri në fuqi në 1 korrik, subjektet janë të përjashtuara nga gjobat e lidhura me fiskalizimin deri në 31 dhjetor të këtij viti. Por asnjë subjekt nuk është i përjashtuar nga detyrimi për t’u fiskalizuar.

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme