Tregu i sigurimeve dhe pagimi i dëmeve, për 7 muaj shqiptarët kanë lidhur mbi 600 mijë kontrata

Sigurimet janë një marrëdhënie besimi, që do të thotë se kompanitë e sigurimeve duhet të punojnë më shumë që të përforcojnë besimin e qytetarëve, nëpërmjet rritjes së cilësisë së shërbimit dhe profesionalizmit. Kur një qytetar zgjedh një produkt sigurimi të caktuar, ai nuk duhet të ketë asnjë dyshim që do të dëmshpërblehet në rast të ndodhjes së ngjarjes për të cilën është siguruar. Gjithashtu, tregu duhet të ofrojë një numër më të gjerë shërbimesh dhe produktesh, të cilat t’u përshtaten nevojave të të gjitha shtresave të konsumatorëve.
Po çfarë ka ndodhur në 7 muajt e parë të këtij viti?
Të ardhurat nga primet e shkruara bruto të sigurimit, pra pagesat e individëve për të gjitha llojet e siguracioneve, kapën vlerën rreth 11 miliardë lekë lekë, ose 18.62% më shumë se në periudhën janar-korrik 2020. Gjatë periudhës janar-korrik 2021, numri i kontratave të sigurimit të lidhura arriti në mbi 600 mijë me një rritje prej 14.71% krahasuar me periudhën janar-korrik 2020.
Tregu vazhdoi të mbetet sërish i orientuar tek sigurimet e Jo-Jetës. Thënë me thjesht, në 100 individë që kanë nënshkruar një kontratë, 93 prej tyre janë siguruar për jo jetën dhe vetëm 7 për sigurimet e Jetës.
Parë nga këndvështrimi i ndarjes së tregut sipas llojit të sigurimit, sigurimi vullnetar përfshin 48 në 100 persona dhe ai i detyrueshëm 52 në 100 kontrata. Ky tregues rregjistrohet vetëm në Shqipëri.
Gjatë kësaj periudhe, kompanitë kanë paguar mbi 4 miliardë lekë të vjetër, ose 7% më pak se në periudhën janar-korrik 2020. Pjesa më e madhe e dëmeve të paguara bruto i përket sigurimit motorik me rreth 2,3 miliardë lekë, apo 56.21% të totalit të dëmeve të paguara bruto, duke pësuar një rritje me rreth 44.53% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Me rritje shënohen edhe MTPL apo edhe Kartoni Jeshil. Por rritjen më të madhe e pati produkti Sigurim Kufitar, me 94.03% të volumit të primeve të shkruara bruto dhe me rritjen me 108.28%.
Kompanitë e sigurimeve vijojnë të këmbëngulin se sigurimi i detyrueshëm i pronës do të ishte një zgjidhje e mirë për vetë shtetin, por edhe për kompanitë e sigurimit, sepse kjo do t’i jepte hov zhvillimit të tregut, duke e bërë atë më të qëndrueshëm. Po ashtu, mund të ketë mundësi shumë të mira të menaxhimit të sigurimit të shëndetit, në dobi të të gjitha palëve, dhe veçanërisht klientit, nëse do të kishte një bashkëpunim me shtetin dhe kompanitë e sigurimeve. Në këtë treg, në tre dekada, ka ndryshuar asgjë ose shumë pak, sepse kompanitë i kanë të sigurta të ardhurat edhe nga këto pak shërbime që ofrojnë, ndërsa raporti prime-dëme nuk ngjason me asnjë nga tregjet rajonale apo më gjerë.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




