Cilësia e naftës dhe gjobat e inspektoriatit

Inspektorati Shtetëror Teknik Industrial gjobiti në gusht 51 subjekte, të cilët, gjatë inspektimeve të kryera, nuk janë gjetur me përmbushje të standardeve të kërkuara. Sipas njoftimit zyrtar, masat administrative të vendosura kapin vlerën 17.3 milionë lekë dhe lidhen me një sërë shkeljesh të hasura në disa nga fushat që janë nën monitorim, mes të cilave disa raste në subjektet që tregtojnë karburant që nuk përmbush kriteret e nevojshme, duke pasur vlera të larta të agjentëve të dëmshëm.
Inspektorati nuk përmend agjentët e dëmshëm, por kjo është lehtësisht e verifikueshme, nëse vëzhgon tymrat që lëshojnë një numër i konsiderueshëm mjetesh motorike apo edhe nëse heton se cilat janë shërbimet më të shpeshta që iu bëhen mjeteve të tilla.
Po ku gjendet ky karburant i dëmshëm?
A ka në Shqipëri karburant të përzjerë?
Kush e përzjen karburantin edhe në kushtet kur rafineritë e vendit janë stopuar?
Shqipëria ka pasur e ka një projekti kombëtar të markimit dhe monitorimit të karburanteve dhe naftës bruto, me qëllim kryesor fiskal që synon minimizimin e kontrabandës, evazionit dhe përzierjeve të paligjshme në tregun e karburanteve dhe naftës bruto.
Zhdoganimi i karburantit nuk bëhet pa realizuar procesin e markimit. Barra fiskale për një litër karburant është rreth 1 USD dhe pagesa e markimit për ton është 6 USD.
Kur kontrolli i karburanteve identifikon vlera të larta të agjentëve të dëmshëm, pra karburante të përziera, kjo nënkupton se karburanti që shitet në pikat e pakicës nuk i ka paguar totalisht detyrimet doganore dhe të importit. Buxhetit i është vjedhur vlera e taksave të naftës. Konsumatorit i është vjedhur kosto e dëmit të paguar për shkak të naftës jocilësore.
Historia e naftës pa cilësi është tashmë shumë e vjetër në Shqipëri. Vendi ynë është nga të paktët në botë që markon e monitoron naftën, me kosto që paguhet në çmimin e naftës dhe nga konsumatorët e naftës. Përgjatë dekadës së fundit, lënda kryesore e përdorur për përzjerje ka qenë produkti i njohur si “nafta virgin”, e cila është benzinë e cilësisë së ulët dhe që është prodhuar si produkt që nuk plotëson standardet për t’u tregtuar. Ky lloj karburanti prodhohet nga rafineritë shqiptare të mëdha, ajo e Ballshit dhe ajo e Fierit, të cilat tani nuk punojnë. Megjithatë, dyshohet se në tregun e karburantit të përzjerë gjenden edhe disa rafineri të vogla të improvizuara. Kontrollet nuk kanë mundur të eleminojnë këtë shteg të përzjerjes së naftës, duke bërë që tregu të vijojë të shesë pa asnjë vështirësi naftë jocilësore.
Qeveria deklaroi se do të niste një fushatë kontrollesh të rrepta dhe ndëshkimesh kundër paligjshmërisë në fushën e tregtimit të karburanteve. Pak kohë më parë qeveria u ka hequr licencën 23 kompanive të tregtimit të karburanteve, por heqja e licencave, sipas njoftimit, u krye për “mospërmbushje të kritereve ligjore mbi kapacitetet” dhe jo për përzjerje karburantesh. Ndërkohë që tregtimi i karburanteve të përzjera, së paku sipas rezultateve të kontrolleve për markuesin, vijon në përmasa shqetësuese, që e vëren edhe nga raportet e Inspektorati Shtetëror Teknik Industrial. Në 6 muajt e parë të vitit janë paguar rreth 1,5 milionë euro për të siguruar cilësinë e naftës në treg për rreth 285 mijë ton naftë të importuar.
Karburantet janë produkti më i rëndësishëm i akcizës që zënë rreth 70% të të ardhurave nga akciza dhe rreth 37% të të ardhurave fiskale nga të gjitha llojet e tatimeve. Rrjedhimisht, ndjeshmëria në këtë treg është shumë e lartë dhe nevoja për kontroll është e vazhdueshme.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




