Forcohet ndjeshëm monedha Shqiptare

Ekonomi | 5 vite më parë

Viti 2021 konsiderohet si viti i korrigjimit në ekonomi. Dhe kështu po ndodh. Në kushtet e një veprimtarie ekonomike në rritje, kursi i këmbimit EUR/ALL po ndikon lirisht rrjedhën e logjikës ekonomike, atë që cilësohet si baraspeshim i kërkesës  dhe ofertës. 

Sipas ekspertëve, rigjallërimi i aktivitetit ekonomik mund të ketë ndikim të përkohshëm nga rritja e importeve krahasuar me 2020-n. Karburantet përshembull shënojnë rekordin e rradhës në periudhën janar-qershor 2000-2021. Ka shumë faktorë që ndikojnë, por edhe kursi i këmbimit është njëri prej tyre. 

Në 2020, kursi i këmbimit tregoi qëndrueshmëri, pavarësisht krizës së shkaktuar nga pandemia. Në javët e para të prekjes nga pandemia, Euro shënoi rritje të shpejtë, duke u forcuar me rreth 7% në më pak se dy javë, duke arritur nivelin më të lartë vjetor prej 131.06 lekësh. Por, ndërhyrja e shpejtë e Bankës së Shqipërisë e stabilizoi kursin brenda pak ditësh. Në vitet e fundit, kursi i këmbimit mes Euros dhe Lekut ka kaluar disa momente luhatjesh të forta, që janë stabilizuar vetëm me ndërhyrjen e Bankës së Shqipërisë. Kjo ka kuptim përsa kohë stoku i borxhit të jashtëm bruto të vendit (ku përfshihen të gjitha detyrimet e sektorit privat dhe publik ) u zgjerua me 3.7% gjatë vitit 2020 si rrjedhojë e rritjes së borxhit publik. Kosto e këtij borxhi ka varësi nga kursi i këmbimit valuator.  Por ndërsa qeveria dhe importuesit përfitojnë nga kjo kosto e kursit të këmbimit, eksportuesit dhe rieksportuesit shesin më lirë duke dëmtuar financat e tyre, në kushtet kur veprimtaria e tyre ekonomike vijon të mbetet në dorë të pandemisë.

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme