Firmoset marrëveshja për ndërtimin e pikës fillestare dalëse të gazit

Ekonomi | 5 vite më parë

 

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku, e cilësoi nënshkrimin e marrëveshjes për ndërtimin e Pikës Fillestare Dalëse Shqiptare të gazit, në Fier, një stacionin ultramodern të Gazsjellësit Transadriatik, një investim strategjik që i hap rrugë zhvillimit të infrastrukturës kombëtare të gazit në rajonin jugor.
Duke marrë fjalën në ceremoninë e organizuar sot me këtë rast në Fier, Balluku tha se “ndërkohë që po vijon puna për projektin e detajuar për tubacionin Fier–Vlorë, i cili do të lidhë gazsjellësin me TEC-in e Vlorës e me portën e re hyrëse që do të investohet nga gjigandi Exxon Mobile”.
Balluku theksoi se, “e rëndësishme për ne sot është të krijojmë burime të reja energjie dhe të zgjerojmë e diversifikojmë prodhimin e energjisë në vend, mbi bazën e politikave dhe strategjive me impakt në zhvillimin e këtij sektori”.
Sipas saj, gazsjellësi TAP në Shqipëri, ka vendosur një gur kilometrik në sektorin energjetik shqiptar dhe është një histori suksesi në dimension shumëpalësh. Pas nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje të rëndësishme, Shqipërisë i hapet rruga e gazifikimit të vendit, që është një nga prioritet e qeverisë Rama për zhvillimin e sektorit të energjetik në Shqipëri.
“Diversifikimi i burimeve të energjisë elektrike në vend i përgjigjet ekspansionit të turizmit, bujqësisë, ndërtimit dhe zhvillimit të ekonomisë, ndërkohë që gazifikimi është në fokus të punës tonë në mandatin e tretë dhe po punojmë për të sjellë risi në këtë sektor me projekte, ku gazi i lëngshëm që do të vijë nga gjigandi Exxon Mobile, mund të injektohet në linjën e TAP, për të krijuar eficencë maksimale të çmimit të megavatit nga TEC-i i Vlorës” – deklaroi Balluku.
Në përshëndetjen e mbajtur me këtë rast, Luca Schieppati, drejtor menaxherial i TAP-it, tha se, “sot shënojmë një marrëveshje historike”.
Duke falënderuar qeverinë shqiptare dhe të gjithë partnerët, për të gjithë bashkëpunimin, Schieppati, vuri në dukej se, “tani po dëshmojmë provat e përpjekjet e mbështetjes tuaj. Që prej dhjetorit të vitit të kaluar, kemi filluar operacionet e plota tregtare dhe kemi më shumë se 3 miliardë metër3 gazi nga Azejbarxhani në vendet e ndryshme të Europës”.
“Marrëveshja e bashkëpunimit për Pikën e Daljes në Fier, tregon përpjekjet tonë që të gazifikojmë vendin. Pika e Daljes është një investim shumë i madh i TAP Shqipëri. Një pikë kthese për gazifikimin e Shqipërisë, e cila do të zëvendësojë një ndërlidhje midis TAP dhe infrastrukturës së ardhshme në Shqipëri. Gazsjellësi Transadriatik është një ndër projektet më strategjike të zbatuara në Europë dhe Pika e Daljes në Fier, përforcon rolin e TAP në zonën e Ballkanit Perndimor, jo vetëm si një operator transmisioni, por edhe si një partner aktiv në tranzicionin e energjisë në Europë”- tha ai.
“Ne jemi të kënaqur, vijoi drejtori menaxherial i TAP-it, të shohim rolin e TAP në diversifikimin e energjisë në Shqipëri dhe vazhdon të ofrojë mbështetje për një burim të ri, të besueshëm energjie të pastër në Shqipëri dhe në Europën Juglindore në të ardhmen”.
“Kjo marrëveshje e vendos Shqipërinë, në një pikë të re të hartës europiane të energjisë”- deklaroi Schieppati. 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme