“Ismail Kadare na ndryshoi dhe shijen e leximit”, Vukaj: Vepra e tij i dha identitetin europian popullit shqiptar

Kulturë | 2 vite më parë

Kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve Shkodër Zija Vukaj, në një intervistë të drejtëpërdrejtë në RTSH-24 e cilësoi shkrimtarin Ismail Kadare si autorin më të rëndësishëm në historinë e letërsisë shqipe, me ndikimin më të madh kulturor tek publiku shqiptar dhe ai ndërkombëtar gjatë 70 viteve krijimtari dhe i përkthyer në disa dhjetëra gjuhë të botës.

Ai pohoi se shkrimtari Ismail Kadare arriti të kapërcente kufizimet e diktaturës dhe vështirësitë e tranzicionit, duke botuar vepra, që përfaqësonin dhe interpretonin kombin shqiptar.

“Kadare e prezantoi Shqipërinë në botën e një letërsie serioze në arenën e lexuesve ndërkombëtar. Kadare I ndryshoi dhe shijen e leximit lexuesit shqiptar duke  i kaluar ata nga perceptimet mediokre të letërsisë në perceptimet e një letërsie moderne, në një letërsi të vërtetë duke u zhvendosur në një klasë shumë më të lartë se letërsia e mëparshme” u shpreh ai.

Sipas z. Vuka Kadare nuk e ka nisur kontributin e tij në letërsinë shqiptare nga hiçi por e ka nisur nga tradita e lënë ndër breza që nga letërsia humaniste dhe letërsia e vjetër shqipe dhe deri tek paraardhësit e afërt të tij që kanë lënë gjurmë të thella në memorien e lexuesit shqiptar.

Tek Kadare, vazhdoi ai, gjejmë të sinkretizuar  jo vetëm vokacionin e një shkrimtari virtuoz të madh por kemi dhe patriotin e madh, kemi një individ shqiptar që amplifikoi palcën etnike shpirtërore të shqiptarëve.

“Ishte një individ që  paraqiti para gjithë auditorëve të botës nëpërmjet artit të fjalës shpirtin e madh të popullit të fjalës duke i përfshirë këto zakonet, doket, traditat , kanunet m gjithë mënyrat që ato janë aplikuar në jetën e përditshme shqiptare”.

Kadare u bë i famshëm me tema të mëdha sepse është marr me tema që kanë pasur lidhje me ekzistencën, me etno-gjenezën e popullit tonë, me baladat që e ka futur në ata kalibrin madhor të interpretimeve kombëtare.

“Ndaj Kadare ka premisa për të mbetur shumë , shumë i rëndësishëm i popullit tonë. Të jesh një shkrimtar me përmasat e Kadares nuk je si njerëzit e tjerë.

Në këtë kontekst ai nënvizoi se, “Ismail Kadareja i dha identitetin evropian popullit shqiptar, e bëri atë të pranishëm në botë dhe e paraqiti si një popull të qytetëruar. Vepra e tij është ajo që ka formuar shpirtërisht, estetikisht, moralisht dhe intelektualisht breza të tërë. Ajo vepër do të vazhdojë të jetë po kaq formuese sa është sot edhe për breza që vijnë më tej. Emri dhe vepra e Ismail Kadaresë do të jenë gjithnjë”.

 

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme