Netët korçare të poezisë, me çmimin Kurora e Poezisë u vlerësua poeti Besnik Mustafaj

Kulturë | 2 vite më parë

“Netët Korçare të Poezisë” ka ulur siparin e edicionit të 28-të të këtij festivali ndërkombëtar. Për 2 netë me radhë, 33 poetë nga vende të ndryshme të botës prezantuan në Korçë krijimtarinë e tyre. “Darka mistike e poezisë”, u quajt nata finale e cila u mbajt tek Qendra e Mikpritjes, Inovacionit dhe Kreativitetit. Nën tingujt e ngrohtë muzikorë, të rinjtë korçarë përcollën emocionet dhe ndjesitë e poetëve të hedhura në letër përmes interpretimit të poezive të tyre.

Nata finale rezervoi 5 çmime. “Kurora e poezisë” çmimi më i rëndësishëm i këtij Festivali shkoi për poetin Besnik Mustafaj.

“Më vjen shumë mirë që këtë vlerësim e mora në Korçë, tek një nga veprimtaritë kushtuar poezisë më jetë gjatë në realitetin kulturor shqiptar, Korça nderon veten duke i kushtuar një vëmendje të tillë poezisë”, u shpreh poeti Besnik Mustafaj.

Tema kryesore e këtij viti ka qenë “Një diell i ri”, frymëzuar nga poezia me të njëjtin titull e Asdrenit, i cili njihet si themeluesi i poezisë moderne shqiptare. Ky festival është themeluar nga një prej emrave të njohur të poezisë shqiptare liriku korçar Skënder Rusi dhe vijon si një traditë e përvitshme.

/RTSH/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme