Orkestra Simfonike e Shkodrës përgatitet për koncertin e parë të vitit në prill

Orkestra Simfonike e Shkodrës e riformatuar vitin e kaluar, është një nga asetet kulturore të këtij qyteti. Shfaqja më e fundit e saj në publik ishte në kuadër të karnavaleve. Nën drejtimin e maestro Jetmir Barbullushit, ajo vijon provat çdo javë në mjediset e stadiumit “Loro Boriçi”.
Dirigjenti tregon se përgatitjet për koncertin e parë të këtij viti po vijojnë normalisht.
“Ky është një koncert me muzikë nga filma shqiptarë e të huaj. Kryesisht janë edhe shkodranë, të cilët kanë realizuar muzikë filmi, siç janë Zef Çoba, Gjon Simoni, Robert Radoja. Do të jenë edhe të njohurit e muzikës së filmit shqiptar, si Kujtim Laro, Thomas Simaku e shumë të tjerë,” thotë dirigjenti Jetmir Barbullushi.
Për maestron Barbullushi, inkuadrimi i elementit të ri në orkestër mbetet një nga objektivat e tij personalë.
“Duhet të shkojmë drejt një trupe profesioniste, t’i hapim rrugën shumë talenteve tanë që janë këtu,” shton z. Barbullushi.
Përgjatë vitit të kaluar Orkestra Simfonike e Shkodrës dhuroi disa koncerte për publikun shkodran si dhe zhvilloi një tur artistik në qytetet shqiptare jashtë kufijve administrativë të vendit.
Përgatiti: Marjo Gjini
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




