Enrico Melozzi, dirigjenti i “Sanremo”-s, i Elsa Lilës dhe “Maneskin”: Artistët shqiptarë pasuruan muzikën italiane

Si do të drithëronte Elsa Lila skenën e Sanremos e ndoshta ndoshta dhe mund të dilte në krye, sikur këngën e saj Evita të kishte mundur ta conte në Sanremo, duke u ngjitur kështu për të tretën herë në karrierën e saj në skenën më të madhe të muzikës italiane. Por zgjodhi ta sjellë në Festivalin e RTSH, më e sigurt në atdhe për pranimin, për vendin e parë dhe Eurovizionin. Por pavarësisht vlerësimit maksimal nga juria në Shqipëri, lënia për herë të parë e këngës që do të na përfaqësojë në Eurovizion në dorë të publikut solli refuzimin e Elsës, që tashmë humbi edhe Sanremon, edhe Eurovizionin. Sapo është përmbyllur edicioni i 73-të i Festivalit të Muzikës Italiane, Sanremo 2023 dhe Enrico Melozzin, dirigjentin që e pamë në Festivalin e RTSH për këngën e Elsa Lilës, e pamë të dirigjonte disa këngë edhe në këtë Sanremo.
Në një intervistë për RTSH ai shprehet se përse mikja e tij prej 15 vitesh, Elsa Lila nuk e çoi këngën e saj Evita në Sanremo?
“Sepse kënga ka lindur në gjuhën e nënës. Elsa ka shijen italiane, praktikisht është italiane se ka 20 vite në Itali, por zemra e saj rreh për Shqipërinë. Ajo mendon, ëndërron në shqip dhe Evita është një këngë për të bijën. Meqë ajo ka fituar dy herë vendin e parë në të shkuarën në festival në vendin e saj, menduam se do të kishte dhe një herë të tretë. Por për fat të keq nuk do ta përfaqësojë ajo Shqipërinë në Eurovizion. Nuk e meritonte thjesht Elsa të shkonte në Eurovizion, por e meritonte Shqipëria që të paraqitej me Elsa Lilën, një nga artistet më të mëdha në botë që ka. Shqipëria do të bënte një figurë shumë të mirë në nivel ndërkombëtar me këtë artiste. Kënga Evita është puna e fundit që kemi bërë bashkë; është një kryevepër e vogël. Elsa është një artiste e jashtëzakonshme, pa pikë dyshimi, është artistja më e madhe që keni”, tha dirigjenti.
Më e madhe se Ermal Meta, që tashmë gjendet në majat e suksesit në Itali?
“Ermalin e kam mik, por përtej aftësive objektive të Elsës, është dhe ndjenja që na lidh bashkë, jemi si motër e vëlla. Për mua ajo është më e zonja”, tha Melozzi.
Karriera e Elsës në Itali si po vijon?
“Ajo kompozonte që kur erdhi në Itali, i bie pianofortes, kitarës. Ka pasur kontrata shumë të rëndësishme me BMG si kompozitore këngësh kur ishte akoma e vogël e sa kishte ardhur në Itali. Ka shkruar shumë këngë dhe për artistë të tjerë italianë. Pas një parathënieje të rëndësishme me muzikë pop, devijoi në muzikën klasike. Bashkë kemi bërë shumë gjëra, eksperimentime shumë të bukura në muzikën klasike, në muzikën e Bahut, Vivaldit, Moxartit. Ajo nisi të studiojë autorë që janë të dashur për të dhe mua, se edhe unë jam muzikant klasik, por edhe zbavitem me popin, punoj me popin, për mua popi është i mahnitshëm, por zemra jonë rreh gjithmonë për muzikën klasike, për kompozitorët e mëdhenj që kanë bërë historinë e muzikës”, shtoi ai.
Elsa apo Ermali apo dhe të tjerë vijnë si talente të mëdha nga Shqipëria apo marrin shumë nga teknika, shkolla italiane e muzikës?
“Po flasim për talente mostruoze. Shqipëria falë emigracionit të madh që ka pasur në Itali i ka sjellë një avantazh artistik edhe italianëve. Për shembull në zonën e Puljas, Lecces, Barit, Salentos ku erdhën shumë shqiptarë meqë jeni shumë afër, përfituan shumë nga mbërritja e shqiptarëve, të cilët sollën kulturën e tyre në Itali. Traditën e muzikës italiane e njohim të gjithë, është maksimumi që ekziston, por duhet të jem i sinqertë që ardhja e shqiptarëve, sidomos në lëmin e muzikës klasike në violin, violinçel, ka qenë një shtim i vlerës muzikore në Itali, se shqiptarët sollën një vlerë të shtuar. Ne kur ishim të vegjël kujtojmë Anna Oxën, por kur erdhi Elsa Lila ishte një revolucion, solli një teknikë monstruoze, që mbart dhimbjen e një toke, të një realiteti që ne e kemi në Jug, në Sicili ka shprehi të tilla shumë nostalgjike..Unë e adhuroj vendin tuaj, ndihem dhe unë pak shqiptar për disa aspekte, sepse njoh Elsën, jemi si një familje bashkë. Në Shqipëri ndihem si në shtëpi dhe emocionohem se sa shumë e duan Italinë, gjuhën italiane dhe kulturën italiane”, tha ai.
U tha nga Arbana në festivalin tonë se Enrico Melozzi vinte direkt nga Sanremo, por nuk u përmend se ai ishte dirigjenti artistik i grupit Maneskin, i këngës Zitti e Buoni, që triumfoi në Sanremon dhe Eurovizionin e vitit të kaluar, e që i dha grupit suksesin botëror.
“Me Maneskin kemi bërë një sukses të jashtëzakonshëm. Me “Zitti e Buoni”, “Coralain”, kam orkestruar edhe këngë të tjera për ta, kam qenë drejtori i tyre unik i orkestrës, kemi një raport tëi shkëlqyer miqësie. Tani ata udhëtojnë shumë nëpër botë, në Amerikë, por kur kthehen në Itali, në koncertin e tyre të fundit më ftuan, u treguan shumë të këndshëm. Kemi marrëdhënie të një vlerësimi të ndërsjelltë e të një respekti shumë të madh”.
Pse nuk vjen të bësh një koncert me Orkestrën e RTSH, që sjell gjithmonë dirigjent nga e gjithë bota?
“Do isha shumë i nderuar. Ky është edhe një apel që nëse drejtori i televizionit tuaj do të më ftojë për një koncert për muzikë klasike bashkë me Elsën, natyrisht nuk do isha thjesht i nderuar, por shumë i lumtur të luaja me orkestrën shqiptare, sepse muzika klasike e orkestrës shqiptare është e pastër, keni shkollën e Lindjes. Pavarësisht se orkestrat italiane janë të shkëlqyera, ne na mungon doktrina, rreptësia. Në Shqipëri është shkolla klasike solide, me shumë rregulla, nuk bëhet shaka me muzikën klasike. Do të ishte e mahnitshme, mendoj, të drejtoja një koncert klasik të vërtetë pa kufje, pa mikrofona. E nëse mund të flasësh në emrin tim, do të vij”, tha dirigjenti italian Enrico Melozzi.
/rtsh/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




