Gastronomi dhe jazz, orkestra “Shqiponjat e Jazz-it” e Forcave Ajrore të Turqisë në sheshin “Skënderbej”

Nuk mund të mendosh Javën e Kulturës Turke dhe të mos provosh kulinarinë turke. Jo vetëm sepse ajo ka ndikuar shumë edhe kulinarin shqiptare, e kemi receta të përbashkëta, sidomos ëmbëlsirash, por ka edhe shumëçka tjetër që është e ndryshme dhe për t’u njohur. Këtë qëllim ka pasur edhe koncepti i eventit për të shijuar gastronominë turke, një nga më të mirat në botë, zhvilluar në sheshin “Skënderbej”, gjatë javës së kulturës turke që po zhvillohet në gjithë Shqipërinë nga data 30 qershor deri në 7 korrik në moton: Shqipëria mikpret Turqinë, një prej partnerëve strategjikë të saj.
E në shesh qytetarët patën mundësinë të shijojnë gatime nga duart e dy shefave turq të kuzhinës, duke filluar nga bakllavaja e qytetit të Gaziantepit, e cila është e vlerësuar si nga me të veçantat për përbërjen e saj, deri te produkte të certifikuara gjeografikisht, si muhammara (meze me salcë speci dhe erëza) po e Gaziantepit, pekmez tipik turk, gjalpi i kikirikut, trahanaja e Ushakut, akullorja e Kahramanmarashit, speci, shereëti i borzilokut të Konjas dhe ajran ose dhalli i Susurllukut (i bërë me kos dhe ujë).
“Kjo është Imam Ballajdi dhe ju e njihni, e veçanta është që unë i kam hedhur dhe lëng limoni dhe copa limoni. Këtu kam mish qengji të cilin e kam përgatitur për disa orë, e bëj fije-fije dhe e përgatis me erëza. Ky është Iç Pilaf, që përgatitet me fruta të thata; bajame, arra, kopër, majdanoz. Kam edhe salcën me domate dhe spec të kuq djegës”.
Por po në sheshin Skënderbej edhe Orkestra “Shqiponjat e Jazz-it ”, një nga njësitë më të dalluara të Komandës së Forcave Ajrore Turke, që vazhdon traditën e ansamblit modern të jazz-it “big band”, ku performuan artistët turq të Operas dhe Baletit, si edhe tenori Oğuz Sırmalı dhe Mehlika Karadeniz Bilgin që shoqëruan Orkestrën Shqiponjat e Jazz-it,duke ndërthurur muzikën anatoliane dhe ballkanike, muzikën klasike dhe popullore me ritmin e jazz-it. E mes tyre edhe sopranoja e TKOBAP, Eva Golemi.
“Këto aktivitete ndihmojnë në afrimin e dy popujve e vë re që po përcillen me interes. Ndihem shumë i lumtur që do ushtroj së shpejti detyrën e ambasadorit të Turqisë në Shqipëri. Pa dyshim që është detyrë shumë e rëndësishme dhe një fat i madh të kesh një detyrë të tillë në një vend mik. Në vitin 2023 ne do të kremtojmë 100-vjetorin e marrëdhënieve mes dy vendeve dhe do të kemi më shumë aktivitete ekstra në Shqipëri me rastin e këtij përvjetori. Shqiptarët, turqit janë popuj vëllezër dhe do vazhdojnë të jenë të tillë”, tha Ambasadori i Turqisë nw Shqipëri, Tayyar Kağan Atay.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




