“Beteja e Torviollit”, në optikën e Parid Dules

“Beteja e Torviollit” ose ajo që njihet ndryshe si “Beteja e Dibrës së ulët”, vjen e realizuar në optikën e piktorit Parid Dule, në një telajo me përmasa të mëdha. E gjithë kjo vepër, duke nisur që nga struktura kompozicionale e saj është e realizuar si fryt i imagjinatës së autorit, ardhur nga shfetimet e shumë librave mbi historinë e Skëndebeut, por edhe për kryengritjen e heroit tone kombëtar në këtë betejë.
“Kam dashur që përtej të bukurës të bëj diçka e madhërishme. Tematika së cilës unë i jam përkushtuar është një tematikë ku e madhërishmja e figurës së heroit tonë kombëtar duhet të prezantohet. Unë kam dashur të sjell diçka ndryshe, qoftë në anën kompozicionale të veprës qoftë edhe në mënyrën sesi unë e kam menduar sesi duhet të ishte kjo betejë pasi edhe e kam lexuar shumë edhe historinë e Skënderbeut, edhe pjesën e kësaj beteje” tha Dule.
Ana kompozicionale e veprës, përcillet përmes një muzikaliteti, pasi të gjitha figurat, artisti i ka sjellë një lëvizje.
“Beteja është po të themi në gjuhë letrare dëgjohen tingujt e shpatave, hungërimat e kuajve duke e bërë anën kompozicionale të jetë në lëvizje, nuk ka një moment statik të një figure, duket se të gjitha figurat janë në lëvizje, duke e bërë atë të duket më madhështore. Po ta vë re në ndërtimin e figures ka një infinit, mënyra sesi figura kompozohet me kënde në mënyrë gjeometrike, të gjitha këto janë menduar për ta çuar në një dimension tjetër” tha Dule.
Por, kjo vepër madhështore, nuk është e vetmja vepër me tematikë historike që piktori ka realizuar. Përveç një sërë veprash të realizuara për Skënderbeun, të cilat përcjellin rrethana të ndryshme historike, artisti ka realizuar edhe vepra të tjera historike. Për këtë tematikë, ai shprehet se është frymëzuar që vogël nga veprat e të atit, piktorit Bardhyl Dule dhe veprat e xhaxhait të tij, skulptorit Hektor Dule.
“I brumosur me leximin e veprave historike munduar të realizoj shpesh vepra historike, kjo për shkak të një lloj nostalgjie nga pikturat e babait tim, Bardhyl Dule. Kam qenë në vëmendje të veprave të tyre. Im atë ka realizuar rreth 68 veprave me tematikë historike dhe i rritur në këtë ambient artistik që në moshën 6-vjeçare, i gjithë ky pasazh futet në brendësinë tënde dhe ajo do të dalë diku” tha Dule.
Të gjitha veprat e realizuara me tematikë historike, artisti do t’i prezantojë për publikun në një ekspozitë që ai ka menduar të realizojë në vijim.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




