Bardhi akuza Ballukut: Trefishoi vlerën e një projekti për impiant fotovoltaik. SPAK të hetojë

Politikë | 2 vite më parë

Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi ka akuzuar zëvendëskryeministren Belinda Balluku, njëherazi Ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, se ka trefishuar vlerën e një projekti për ndërtimin e një impiani fotovoltaik.

Në një deklaratë për mediat, Bardhi tha se bëhet fjalë për impiantin fotovoltaik në digën e Zadejës ku, sipas tij, Balluku ka firmosur për një projekt që do të ndërtohet nga KESH-i me vlerë 8 milionë euro, teksa pretendon se i njëjti projekt në privat kushton 3 milionë euro.

Bardhi i bën thirrje Prokurorisë së Posaccme (SPAK) që të nisë hetimet, teksa akuzon Ballukun për shkelje të ligjit.

“Vjedh çdo ditë nga taksat tuaja, kjo nuk është akuzë politike, nuk është sulm i një kundërshtari politik, është realiteti sesi abuzohet me paratë publike. Një rast flagrant sesi qeveria e Edi Ramës ju vjedh sy më sy. Një projekt në dukje i parëndësishëm për vëmendjen e publikut, por tregon sesi numri dy i qeverisë përdor nevojën jetike të vendit për energji elektrike për të prodhuar një skemë kriminale që gati trefishon kostot e projekteve energjetike. Rasti që do bëjmë publik mban firmën e Belinda Ballukut dhe vartësve të saj.

Një shkelëse e ligjit që duhet të hetohet nga SPAK pa humbur kohë dhe duhet dërguar para drejtësisë. Vetëm me firmën e Belinda Ballukut mund të ndodhë që një projekt i cili kur ndërtohet nga shteti, konkretisht nga KESH kushton 8 milionë euro, ndërkohë që kur ndërtohet nga privati i njëjti projekt kushton 3 milionë euro. Kjo ka ndodhur me projektin e ndërtimit të impiantit fotovoltaik në digën e Zadejës, kostoja e të cilit është fryrë në mënyrë fiktive, duke i shkaktuar një dëm buxhetit të shtetit prej të paktën 5 milionë euro. Rritja e kostos duhet të ketë ndodhur edhe në shumë projekte të tjera në varësi të Belinda Ballukut”, u shpreh Bardhi.

/rtsh.al/

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme