Tre italianët refuzojnë dëshminë te “Sterilizimi”, Vokshi: Do i sjellë policia, dëshmitarët po avullojnë

Kryetarja e Komisionit hetimor për koncesionet në Shëndetësi, Albana Vokshi njoftoi se 3 shtetasit italianë Umbro Staccini, Elisabetta Anzanello dhe Giorgio Tardioli kanë refuzuar të vijnë të dëshmojnë.
Sipas Vokshit kjo është hera e tretë që shtetasit italianë kanë refuzuar dëshminë, ku shtoi se do të veprojë Policia e Shtetit që të mundësojë ardhjen e tyre në këtë komision hetimor.
“Umbro Staçini, Elisabetta Anzanello dhe Giorgio Tardioli janë përgjigjur me e-mail për shkak të angazhimeve personale dhe pune në Itali dhe jashtë Shqipërisë edhe kohës së shkurtër të njoftimit, i kemi thirrur 3 herë e kanë të pamundur të organizojnë udhëtimin drejt Shqipërisë. Është hera e tretë që refuzojnë. Dëshmia e 3 shtetasve është kyçe për hetimin parlamentar. Ligji parashikon thirrjen e tyre duke njoftuar policinë dhe policia të sigurojë praninë e tyre në komision”, u shpreh Vokshi.
Shtetasit italianë janë administratorë apo pronarë të kompanive italiane “Servizi Italia”, “Tecnosanimed” dhe “U.Jet S.r.l” të Staccinit, të përfshira në koncesionin e Sterilizimit.
Gjithashtu Vokshi ka ngritur shqetësimin se edhe dëshmitarët e tjerë si Artan Lleshi apo Altin Fani nuk kanë ardhur të dëshmojnë.
Vokshi u shpreh se dëshmitarët “po avullojnë” në një kohë kur dëshmia e tyre është shumë e rëndësishme për hetimin.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




