Rama: Prokuroria Tiranë, dosje ulëritëse për evazion fiskal. Bizneset kanë “në xhep” prokurorët

Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se në Prokurorinë e Tiranës ka “dosje ulëritëse të evazionit fiskal” , por që vetë këto persona që kanë kryer evazion fiskal mbrohen nga prokurorët.
Rama tha se bizneset që kanë kryer evazion fiskal “i kanë në xhep” prokurorët dhe kjo është pikërisht një nga hallakat që bën që ligji të mos zbatohet. Rama u shpreh se qeveria do të vërë në praktikë inteligjencën artificiale që kompanitë ta kenë të pamundur për të shmangur deklarimet.
“Në prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm duke filluar nga ajo e Tiranës kemi probleme të mëdha. Ka shumë nevojë që reforma në drejtësi të shtrihet në praktikën e përditshme dhe të këtyre prokurorive. Kemi dëgjuar ndonjë sipërmarrës të merret i pandehur për evazion, për shmangie taksash me miliona? Nuk kemi dëgjuar. Mendoni se nuk ka? Patjetër që ka dhe janë identifikuar. Në prokurorinë e Tiranës prej vitesh janë mbuluar me trupat e prokurorëve dosje ulëritëse të evazionit fiskal. Evazor që e kanë prokurorinë në xhep. Është i gjithë zinxhiri që duhet mbyllur. Nëse ligji nuk vepron për këtë kategori si për të gjithë të tjerët atëherë ne kemi problem të madh sepse hallka e fundit e zinxhirit na mungon dhe prandaj është jo e lehtë. Megjithatë kemi një plan që na mundëson një zhvillim tjetër që kemi bërë që është dixhitzlizimi i transaksioneve. Sot kemi dixhitalizim të transaksioneve të bizneseve, edhe aty kanë nisur të bëjnë hile, por po vëmë në funksion në tjetër mekanizëm me inteligjencën artificiale që do e kenë të pamundur të na shmangen me deklarimet”, tha Rama.
Gjatë turit me pensionistët në Durrës, Rama tha se bonusi i këtij fundviti për pensionistët do të jetë më i lartë se 50 euro që u mor vitin e kaluar. Sipas kryeministrit, qeveria është duke punuar që të rris edhe më shumë presionin ndaj kompanive dhe bizneseve që të bëjnë deklarimin real të pagave, pasi kjo do të rriste edhe më shumë fondin e pensioneve që në të ardhmen do të shërbente për rritjen e tyre.
“Ne do fillojmë që këtë fundvit ne rritëm bonus 50 euro për çdo pensionistë. Tani kjo nuk mjafton më dhe jemi duke finalizua rritjen e bonusit të fundvitit. Kemi nisur një tjetër operacion për të rritur të ardhurat nga ata që duhet të paguajnë sigurimet shoqërore nga deklarimi i pagave. Ato duhen paguar sepse çdo biznes që shmang deklarimin real të pagës për të mos paguar sigurimet shoqërore ose për të bërë pagesën minimale vjedh një pensionist. Me këto besoj se do kemi një kapacitet që të rrisim gradualisht pensionet, përveç bonusit të fundvitit, ku këtë vit do jetë më i madh dhe do qëndrojë aty për çdo vit. Do bëjmë presion të madh mbi kompanisë që të deklarojnë pagat reale”, tha Rama.
Qeveria paguan 500 milionë euro çdo vit për të plotësuar pensionet, tha Rama, ndërsa shtoi se sot pensioni mesatar është 190 euro. Problematikë mbetet ende një pjesë e madhe e pensioneve tepër të ulëta, që sipas kryeministrit, po punohet për të adresuar këtë problem.
“Sot secili prej jush merr pension nga fondi që krijohet nga kontributet e atyre që sot janë punë. Ky fond sot është i pamjaftueshëm për 1001 arsye që kanë të bëjnë me të shkuarën dhe të tashmen. Kemi arritur të fusim në skemën e kontributeve të 300 mijë punonjësve që ishin jashtë. Sot ne kemi një pension mesatar 190 euro, ishte 105 euro. Kemi një masë ende të madhe pensionistësh që ka një pension shumë të ulët dhe ky është një problem që ne duam ta adresojmë. Për çdo rritje page ne marrim më shumë sigurime shoqërore që do të jetë një fond më i madh për pensionet. Kur ndodh që kontributet shoqërore janë më pak nga sa na duhen i marrim nga taksat dhe 500 mln euro është çdo vit gropa që ne duhet të mbushim për pensionet. Kemi dy gjëra për të bërë”, tha Rama.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




