Beleri: Është koha që të lëmë mënjanë elementet egoistë nacionalistë

Në takimin e 18-të të Komisionit të Stabilizim-Asociimit BE-Shqipëri të martën ishte i pranishëm edhe eurodeputeti i Demokracisë së Re në Greqi, Fredi Beleri. I zgjedhur kryebashkiak i Himarës Ai u dënua me 2 vite burgim për blerjen e votave në zonën e Himarës në zgjedhjet vendore të 14 majit 2023.
Duke folur në greqisht, Beleri tha se “jeta ime është e ndarë mes Shqipërisë dhe Greqisë. Kur u ktheva në Shqipëri në 2015 unë mendova se do të gjeja një demokraci të maturuar me kalimin e kohës, e cila do të kishte zhvilluar një lloj qëndrueshmërie, do të kishte tejkaluar elementet patogjenikë që ekzistonin në kohën e Enver Hoxhës”.
“Gjatë viteve të fundit fatkeqësisht unë kuptova që nuk ishte kështu. Në zonën time në Himarë qytetarët më nderuan duke më dhënë besimin e tyre, por fatkeqësisht me makinacione të ndryshme mua m’u mohuan të drejtat e mia politike për 16 muaj”, theksoi Beleri.
Beleri tha se “Shqipëria e gjen veten në një procedurë terapeutike mundohet të përmirësojë situatën e vet, gjendjen e vet dhe mundohet të ndryshojë e të ecë përpara. Është koha që të lëmë mënjanë elementet egoistë nacionalistë” tha ai.
Fredi Beleri tha se “Shqipëria dhe Edi Rama duhet të lënë mënjanë këtë gjendjen që ta ndjesh veten gjithmonë të persektuar për të parë pas shpatullave se kush po të ndjek gjithë kohës. Ka ardhur koha për të ndryshuar drejtim dhe të kuptojmë që ka ende shumë gjëra për Shqipërinë për të bërë”, nënvizoi ai.
Sa i përket sundimit të ligjit dhe zbatimit të parimeve europiane, eurodeputeti i Demokracisë së Re në Greqi, Fredi Beleri, theksoi se “është e rëndësishme të kuptojmë që reforma në drejtësi krijoi shpresa e optimizëm dhe pas 8 viteve mund të themi që ka dështuar plotësisht. Pse ka dështuar? Dështoi sepse me sistemin e vetingut drejtësia vendosi nën kontroll atë lloj pavarësie që kishte ekzistuar në origjinë në sistemin e drejtësisë dhe që ishte edhe qëllimi i reformës së drejtësisë”.
“Procesi i vetingut e minoi tërësisht reformën në drejtësi. Rasti i prokurorit që hapi çështjen kundër meje është një tregues i asaj që ka ndodhur“, tha Beleri.
Marrë nga ATSH
/ rtsh.al /
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




