Beleri pritet me protesta në Tiranë, një grup qytetarësh me thirrje kundër tij para “Shtëpisë së Evropë”

Ardhja e Fredi Belerit sot në Tiranë është pritur me protesta. Një grup qytetarësh protestuan përpara godinës së “Shtëpisë së Europës” në kryeqytet me flamurin tonë kombëtar dhe me parulla në të cilat kundërshtohej përfaqësimi i Parlamentit Evropian nga eurodeputeti Beleri.
Zoti Beleri ishte pjese e delegacionit prej 10 eurodeputetësh që u takuan sot në Tiranë, me përfaqësues të grupeve parlamentare shqiptare.
Ndërsa qytetarët protestonin me thirrjet “Fredi Beleri është terrorist”, pranë tyre u regjistrua nga kamera e RTSH-se edhe ambasadori i BE-së në Shqipëri, Silvio Gonzato, i cili i takoi eurodeputetët në një pritje të shkurtër sot në mëngjes.
Zoti Gonzato iu drejtua zyrave të delegacionit duke vështruar nga protestuesit, të cilët qëndruan për më shumë se 30 minuta me parulla në duar kundër ish-kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës.
Fredi Beleri u zgjodh eurodeputet ndërsa vuante dënimin e dhënë nga gjykatat shqiptare për korrupsion në zgjedhjet lokale të vitit 2023.
Gazetare: Sonila Agostini
/RTSH/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




